Aktuale
Ja çka ndodhi me 4 punëtorët e rrëzuar nga 8 metra në Ferizaj

Vendpunishtet e ndërtimit çdo ditë e më shumë po bëhen rrezik për punëtorët e këtij sektori.
Në prag të kësaj rrezikshmërie u gjenden edhe 4 punëtorë (27, 28, 30 dhe 35 vjeç) të cilët shtunën e kaluar u rrëzuan nga një lartësi prej 8 metrash në një objekt në Ferizaj, derisa po montonin shallonin e liftit.
Dy prej tyre kishin marrë lëndime më të rënda trupore e ku u deshtë të bëhen edhe intervenime kirurgjike.
Bardh Çerkini nga kompania e ndërtimit “Nderimi” N.N.P ka treguar për Ndërtimi.info se njëri nga punëtorët gjendet në Spitalin e Shkupit, pasi që nga lëndimet e marra është dashur të operohet në boshtin kurrizor. Por që gjendja e tij shëndetësore e tij tani është e mirë.
Një operimi iu nënshtrua edhe një punëtorë tjetër, të cilit i është operuar këmba në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Kurse dy tjerët kanë marrë lëndime të lehta trupore.
“Mirë kanë pshtu se edhe vëllau jem ka qenë aty. Dy kanë qenë më rrezik po mirë kanë shpëtu. Njëri ka dalë prej spitalit që ka pas operacioni këmbën se e ka pas të thyer. E tjetri është në Shkup se është operuar prej unazave e tash gjendja është shumë e mirë. Gjendet ende në Shkup se është ende duke marrë trajtim mjekësor”, tregoi Çerkini.
Për këtë Ndërtimi.info ka tentuar për tre ditë rresht të kontaktoj edhe me Emergjencën në QKUK, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Ndërkohë, që me rastin po merret edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj por po presin raportin final të Inspektorati të Punës. E që kjo e fundit nuk ka arrit deri më sot ta ketë të përfunduar këtë raport.
Kryeinspektoriati i Punës, Basri Ibrahimi i tha Ndërtimit.info se nuk ka pranuar ende raportin me arsyetimin “përshkak angazhimeve tjera”.
“Ende nuk është përfunduar raporti. Ende nuk ma ka sjellë inspektori raportin nuk është përfunduar ende. Spo di çka me thënë se realisht është dashtë me pru po përshkak angazhimeve tjera nuk është sjellë ende”, tha Ibrahimi.
Tek pas raportit të Inspektoratit të Punës dhe Policisë në Ferizaj që do t’i dorëzohen Prokurorisë Themelore , atëherë kjo e fundit do të vazhdoj me procedurat sa i përket ekzaminimit të veprës penale. Kështu ka thënë për Ndërtimi.info zëdhënësja e këtij institucionit Vjosa Baftiu.
“Prokurori kujdestar është njoftuar me rastin dhe ka autorizuar hetuesit që të mbledhin informacione shtesë dhe po ashtu, ka autorizuar zyrtarët policor që të njoftohet Inspektorati i Punës, në mënyrë që të përpilojë raportin me shkrim lidhur me këtë rast rrëzimi nga objekti në Ferizaj… Pas grumbullimit të informacioneve të nevojshme nga ana e zyrtarëve policor, se si ka ardhur deri tek ky rast, Prokuroria do të njoftohet dhe më pas do të vazhdohet procedura sa i përket ekzaminimit të veprës penale në rastin konkret”, ka thënë Baftiu.
Kujtojmë që vetëm prej muajit janar të këtij viti (2018) deri në fund muajin gusht në vendin e punës derisa po punojnë për të siguruar jetesën kanë ndërruar jetë 13 persona, kurse mbi 830 janë lënduar.
Kurse, në viti 2017-të, sipas Inspektoratit të Punës, 7 punëtorë të ndërtimtarisë kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës, e 30 të tjerë janë lënduar nga aksidentet gjatë procesit të punës.
Mirëpo, të dhëna tjera kishte Sindikata e Pavarur e punëtorëve të sektorit privat.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi pati bërë të dikur për Ndërtimi.info se gjatë viti 2017 janë shënuar 8 vdekje të punëtorëve të ndërtimtarisë gjatë punës.
Për krejt këto Inspektorati i Punës po ankohet se kanë numër të vogël inspektorësh.
