Aktuale
Izolohet zona përreth katedrales “Notre-Dame”
Niveli i lartë i hirit të plumbit që ka mbështjellë ndërtesa të tëra përqark katedrales së Notre Damit ka detyruar autoritetet të marrin masa për izolimin dhe dezinfektimin e zonës. Qytetarët shprehen kritikë me organet vendore dhe neglizhencën e treguar në trajtimin e këtij problemi që kur vepra gotike u përfshi nga flakët më 15 prill.
Autoritetet franceze izoluan të martën zonën përqark katedrales së Notre Damit në Paris për të hequr mbetjet toksike të krijuara nga flakët e pranverës.
Puna për restaurimin e kryeveprës arkitekturore u ndërpre muajin e kaluar për shkak të frikës se nivelet e larta të hirit të plumbit përbënin kërcënim për jetën e restauruesve.
Qindra tonë prej metalit të butë që ndodhej në çatinë dhe kullën me majë të katedrales u shkrinë pasditen e 15 prillit nga një zjarr ende i pashpjegueshëm.
Mendohet se pluhuri i plumbit i lëshuar gjatë djegies, përveçse në brendësi, u shpërnda me ndihmën e erës në një perimetër deri 1 kilometër nga katedralja.
Veçanërisht serioze ishte gjetja e një sasie shqetësuese prej 1 mijë mikrogramë hiri toksik në shkollat dhe çerdhet e qytetit, kur niveli i rrezikut për jetën shtohet nga vlera 70 e sipër.
Për të dezinfektuar zonën, autoritetet po shpërndajnë një xhel të posaçëm që është i aftë të kapë grimcat e plumbit dhe pas tharjes mund të eliminohet lehtësisht.
Publiku vendës mbetet kritik me zyrtarët e Parisit për neglizhencën që kanë treguar në largimin e mbetjeve toksike, ndërsa një grup ambientalistësh kanë paditur bashkinë me akuzën se i fshehu publikut nivelet e larta të hirit toksik edhe pse ishin në dijeni të tyre.
Mësohet se puna për restaurimin e katedrales është planifikuar të rinisë të hënën, ndërsa shkollat nuk do të hapen në shtator pa u pastruar plotësisht e gjithë zona.