Aktuale
Ishin 50 mijë euro për rrugët e tri fshatrave, Mitrovica shpenzoi mbi 135 mijë euro veç në një fshat
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/09/Komuna-e-Mitrovices-objekti.jpg)
Tejkalimi i shumës së planifikuar për ndërtimin e disa rrugëve, mos qartësimi i pronësisë për ndërtimin e një objekti si dhe shkurtimet në procedurat e prokurimit, janë disa nga te gjeturat e zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në Komunën e Mitrovicës, shkruan Ndërtimi.info.
Për rregullimin e rrugëve në fshatrat Melenicë, Maxherë, dhe Dedi, me buxhetin e vitit 2018, Komuna e Mitrovicës kishte paraparë të shpenzojë 50,000€, ndërsa vetëm për fshatin Maxherë për rregullimin e rrugëve, “Voce Gimaj” dhe “Ilmi Cimili”, sipas ZKA-së, ishin paguar 135,741€. Sipas kësaj i bie se Komuna e Mitrovicës vetëm për dy rrugët e këtij fshati ka tejkaluar për 85,741 euro vlerën e planifikuar për rregullimin e rrugëve në tri fshatra.
Këto mjete, sipas raportit të Auditorit, ishin ndarë me vendim të kryetarit pa aprovim të Kuvendi Komunal (KK) nga projekti për ndërtimin e rrugëve në fshatin Kçiq 85,741€ dhe nga projekti ndërtimi i rrugëve në fshatin Bajgorë 50,000€, duke ndërprerë punimet në këto dy projekte me arsyetim se kontrata është tre vjeçare dhe punimet do të vazhdojnë në vitin 2019, pavarësisht ndarjes buxhetore për vitin 2018.
Sipas raportit të ZAK-së, shkak i kësaj ishte se ekzekutivi nuk e ka iniciuar kërkesën në Kuvendin Komunal për ndryshimin e shumave të alokuara për projektet ekzistuese, po ashtu njësia kërkuese nuk kishte bërë një planifikimin të duhur për projektin në fjale.
Mos aprovimi i projekteve të reja dhe planifikimet e dobët, sipas ZKA-së sjellin disa rreziqe.
“Mos aprovimi i projekteve të reja, do të zvogëlojë zbatimin efektiv të planeve të parapara të shpenzimeve kapitale dhe pasqyrim të pasaktë të projekteve të realizuara brenda kategorisë së investimeve kapitale. Po ashtu, planifikimet e dobëta ndikojnë negativisht në aspektin buxhetorë të komunës, duke dëmtuar realizimin e projekteve tjera të planifikuara”, thuhet në raportin e ZKA-së për vitin 2018.
Për këtë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri rekomandohet të sigurojë që ndryshimet/ridestinimet në projektet kapitale të komunës të aprovohen paraprakisht në Kuvendin Komunal si dhe të sigurojë që njësit kërkuese të kenë një planifikim real të projekteve, ashtu që mos të hyjnë në obligime pa pasur mjete buxhetore të mjaftueshme.
Ndërsa, për “Ndërtimin e rrugës në fshatin Kovaqicë Loti i I-rë” në vlerë 948,393€, ishin zhvilluar procedurat e prokurimit për kontratë publike me vlerë të madhe, mirëpo nuk ishte zbatuar rregulla e përgjithshme për caktimin e afateve kohore për pranimin e tenderëve, afati kohorë për pranimin e tenderëve i dhënë nga komuna ishte 18 ditë.
Sipas raportit të ZKA-së, kjo kishte ndodhur si pasojë e kontrollit të dobët në menaxhimin e procesit të prokurimit, duke neglizhuar kërkesat ligjore të prokurimit.
Shkurtimi i afateve kohore për pranimin e tenderëve, Auditori konsideron se mund të jetë kohë e pamjaftueshme për të përgatitur dhe ofertuar, gjë që mund të ndikojë në diskriminimin e operatorëve tjerë për të ofertuar.
Komuna e Mitrovicës kishte subvencionuar “Organizatën komunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës” në vlerë 145,000€, me vendim të Kuvendit Komunal, me qëllim të ndërtimit të një objekti për organizatën. Por, Komuna nuk kishte lidhur një marrëveshje mirëkuptimi me OJQ-në e subvencionuar për të përcaktuar të drejtat dhe obligimet e palëve.
Sipas Auditorit, deri në periudhën e auditimit (prill 2019) procedurat e nevojshme për ndërtimin e objektit, ende nuk kishin filluar, për shkak të kontestit gjyqësor për pronën parcelat ku duhet të ndërtohet objekti.
ZKA-ja thekson se kush po pretendon në pronësinë e saj parcele.
“Sipas zyrtarëve të komunës dhe fletës poseduese, parcela ku do të ndërtohet objekti është pronë komunale, ndërsa organizata pretendon se parcela është në pronësi të saj dhe për këtë arsye kishte ripërtërirë, padinë ndaj komunës, në janar të vitit 2019. Si rezultat i kontesti gjyqësor, punimet ende nuk kishin filluar, përderisa mjetet financiare janë transferuar nga komuna tek organizata e lartpërmendur”, thuhet në raportin e ZKA-së.
E, mos qartësimi i pronësisë dhe mos lidhja e një marrëveshje mirëkuptimi paraprake, sipas ZKA-së, rritë rrezikun që komuna nuk posedon mekanizma garantues së objekti do të ndërtohet dhe mjetet do të shpenzohen për qëllimet e caktuara./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)