Aktuale
Ish-ministri tregon pse nuk u implementua Ligji për Trepçën
Çështja e Ligjit të Trepçës që ka mbetur vetëm në letër, u aktualizua pas vizitës së të parit të Qeverisë, Ramush Haradinaj.
Reagimi për Minierën e Trepçës dhe ligjin e saj ka reaguar kryetari i Lëvizjes për Bashkim, ish-minsitri i Diasporës Valon Murati i cili thotë se ky ligj nuk u zbatua shkak i pazareve të partive politike rreth emërimeve për bordin e ri të kësaj ndërmarrje.
Murati në një postim në Facebook i ka bërë thirrje të parit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, që të krye të Bordit Mbikëqyrës të emërohen ekspertë të përgatitur profesionalisht.
“Këto ditë pas vizitës së kryeministrit Haradinaj Trepçës prapë u aktualizua çështja e implementimit të ligjit për Trepçën. Kryeministri duhet ta di se një prej problemeve kryesore pse ligji nuk është implementuar që një vit, janë pazaret e partive politike rreth emërimeve në bordin e ri. Andaj nëse kryeministri don që të kemi një Trepçë funksionale e që do të duhej të ishte një ndër shtyllat e zhvillimit ekononik, duhet të punojë që të mos përsëriten gabimet e bëra deri më tani në mënyrën e përzgjedhjes së bordeve të shumë institucioneve të tjera. Nëse e duam Trepçën e Kosovën, duhet që në krye të Bordit Mbikëqyrës të caktohen ekspertë të përgatitur profesionalisht dhe të përkushtuar për zhvillim të vendit. E të tillë Kosova ka plotë”, ka shkruar Murati.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën së bashku me ministrin për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka dhe atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, patën takuar menaxhmentin e Kombinatit “Trepça” në Mitrovicë, me ku diskutuan rreth situatës aktuale në këtë ndërmarrje, punën që duhet bërë në të ardhmen, si dhe mundësitë për zbatimin e Ligjit për Trepçën.
Haradinaj kishte potencuar rëndësinë e madhe në shumë aspekte që ka ky gjigant.
Sipas tij, është e pa tolerueshme vonesa e krijimit të Bordit mbikëqyrës për Trepçën dhe po ashtu është e pa tolerueshme lejimi i statusit të Trepçës si kompani e paregjistruar.