Aktuale
Ish-ministri Muharremi bëhet konfuz për nënshkrimin e kontratës për “Autostradën e Gjilanit”
Ish-Ministri i Infrastrukturës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku ka lënë pluhur në këtë ministri që drejtoi për një mandat.
Problemi më i madh që i la zëvendësuesit të tij për një kohë shumë të shkurtër që mbajti këtë pozitë, Hanefi Muharremit, ishte projekti qindra milionësh, ai i Autostradës Prishtinë-Gjilan, raporton Ndertimi.info.
Mesnata e 11 shtatorit ishte dita e fundit e Hanefi Muarremit si ministër. Por, ai nuk do të dilte prej aty pa dhënë edhe një nënshkrim. Madje ai thotë se u befasua kur iu kërkuar që në ditën e funidt të punës komisioni që merrej me shqyrtimin e tenderëve kishte sugjeruar që ta nënshkruaj tenderin për Autostradën e Gjilanit.
Muharremi në një deklaratë për KTV me 19 tetor, tha se sugjerimi i komisionit e kishte aprovuar pasi Drejtori i Shërbimeve Publike i kishte siguruar se gjithçka është në rregull me punët që ka kryer komisioni.
“Atë ditë ka qenë ditë e hënë, Drejtori i Shërbimeve Publike erdh dhe më tha se Komisioni ka kry punën, bile drejt me të thënë unë nuk e pyeta se kur e kanë kryer, si e kanë kryer dhe qysh e kanë kryer. Po u befasova dhe ju thashë ku e keni gjet ditën që sot bëhet pranim-dorëzimi ju po më thoni që e keni kry punën. AI më tha që sot u kry, sot po të njoftoj. A është gjithçka në rregull? Gjithçka në rregull”, pati deklaruar Muharremi.
Deklarata krejt ndryshe nga ajo e 19 tetorit, po thotë tani Muharremi për Ndërtimi.info
Ai për Ndërtimi.info nëpërmjet telefonit tha se në natën e 11 shtatorit nuk ka nënshkruar asnjë dokument, por vetëm që kjo drejtori e ka njoftuar për punët që ka kryer komisioni që ishte caktuar nga Zharku.
“Unë nuk kam nënshkruar fare. Ditën që e kam dorëzuar pranim-dorëzimin, ata e kanë kry procedurat, dhe masnej asgjë nuk di. Kështu që edhe ju mos humbi kohë, edhe unë s’po hupi kohë… Duhet me ju sqaru se Drejtoria e departamentit të Shërbimeve Publike janë departament i cili punon i pavarur dhe as ministri, kryeministri e as zëvendësit askush nuk përzihet në punën e tyre. Është caktuar komisioni prej sekretarit apo prej ish-ministrit, komisioni ka punuar aty deri në ditë kur është bërë pranim-dorëzimi. Mua vetëm më ka njoftuar është kry procedura e tenderimit dhe punët janë ndarë. Unë pyeta se a është në rregull gjithçka, gjithçka në rregull me kaq unë e kam përfundu me ta. Nuk ka kurrfarë nënshkrimi, dhe kurrfarë punë tjetër nga ish-ministri apo nga unë. Krejt qëto janë çka mundem me thënë”, tha Muharremi.
LEXO: Një histori e shkurtër që “ecën” mbi premtimet për Autostradën e Gjilanit
Muharremi këmbëngul që në mesnatën e 11 shtatorit nuk ka nënshkruar asgjë dhe se nuk e din se çka është sjellë, përveç asaj çka Drejtoria e Shërbimeve i kishte thënë se Komisioni ka kryer punët. Përveç që nuk ishte në dijeni për këtë, Muharremi nuk e dinte që OSHP ka kthyer në pikën zero tenderin milionësh të Autostradës Prishtinë-Gjilan.
“Ka mundësi, por nuk jam në dijeni, dhe nuk mundem me qenë në dijeni se me 11 shtator e kam dorëzu detyrën. Në rast se akuzohet ministria është drejtpërdrejt Departamenti i Shërbimeve Publike. Por them se nuk ka kurrfarë nënshkrimi”, tha Muharremi.
LEXO: 19 nene të shkelura për “Autostradën e Gjilanit” dhe arsyet e anulimit [vendimi i plotë]
E Muharremi tha se nëse vërtetohet se ka nënshkruar ai ndonjë dokument atëherë tha se do të marrë përgjegjësi dhe do të dalë edhe para Prokurorisë.
“Nuk kam nënshkruar unë ju vërtetoni atë dhe nëse e shihni që kam nënshkruar jo para jush por jap përgjegjësi edhe para Prokurorisë, ua siguroj që nënshkrim nuk ka pas nga ana ime”, përfundoi ai.
Ndërtimi.info ka provuar të komunikojë edhe me ish-ministrin Lutfi Zharku, por ky i fundit nuk është lajmëruar nëpërmes telefonit. Kontakt njëjtë nuk është mundur të vendoset as me ministrin e tanishëm, Pal Lekaj.