Aktuale
Ish-drejtoresha e Urbanizmit në Prishtinë thotë se qyteti s’ka më urbanizëm
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/lgj.jpg)
Ish-drejtoresha e Urbanizmit në Prishtinë në kohën kur kryetar ishte Isa Mustafa, Luljeta Çeku-Sokoli, në emisionin 038 të KTV-së, ka folur për Lagjen e Muhaxhirëve.
Ajo ka thënë se në periudhën sa ka qenë në pozitën e Drejtores, ka trashëguar disa plane të papërfunduara, ku në mesin e tyre ishte edhe Lagja e Muhaxhirëve.
“Për të avancuar planin, vendosa të propozoj një komision me ekspertë të jashtëm dhe të Komunës për të rishikuar planin dhe ta përfundojmë atë. Plani im u pranua me shumë rezervë nga Kryetari dhe nga këshilli i drejtorëve, mirëpo komisioni punoi me shumë përgjegjësi dhe në fund e dha raportin me të gjitha të metat dhe mangësitë e planit. E avancuam planin, ndërhymë në infrastrukturë, në strukturën fizike, sociale, në mënyrën e implementimit dhe më vonë vazhduam me gjithë komisionin e brendshëm të Drejtorisë së Urbanizmit që të zbatojmë atë plan rregullues të lagjes. Meqenëse ligjet e prokurimit na ofrojnë kompani që nuk shquhen me përvojë të theksuar të planifikimit urban, isha shumë e brengosur. Ne duhej të punonim pastaj që nuk ishte obligim i yni, por e bëmë atë punë dhe ajo na konsumoi shumë kohë neve. Megjithatë, ne e përfunduam”, deklaroi ajo.
“Propozova që ndërtimi në Lagjen e Muhaxhirëve të shkojë në mënyrë të organizuar, sepse ndërtimi parcial sjell probleme. Në atë lagje ende ka probleme sepse nuk është realizuar plani siç është kërkuar. Vërejtjet që ne i dhamë janë miratuar nga Kuvendi. Pas dorëheqjes sime vazhduan ndërtimet në mënyrë parciale, dhe sot shoh se objektet i tejkalojnë koeficientet e përcaktuara në atë kohë. Ky ndërtim parcial paraqet rrezik në situatën aktuale të dendur të lagjes”, u shpreh ish-drejtoresha e Urbanizmit në Prishtinë, Luljeta Çeku-Sokoli.
Ajo thotë se nuk kanë qenë protestat e banorëve të Lagjes së Muhaxhirëve ato që e kanë detyruar atë të japë dorëheqje, por ka qenë kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e spitalit të Forenzikës Psikiatrike brenda oborrit të QKUK-së.
Ajo thotë se kjo gjë, në konsultim me ekspertë të rajonit, rrezikonte sigurinë e frekuentuesve të QKUK-së.
“Nuk kanë ndikuar protestat e Muhaxhirëve në dorëheqjen time. Kanë ndikuar shumë faktorë. Unë e pranova detyrën që në qytet të lë gjurmë dhe rregull urban. Meqenëse kishte bllokada dhe nuk kishte vullnet të përgjithshëm, mjerisht, unë nuk e pash të arsyeshme të vazhdoj më tutje aty. Vendimin e mora për shkak të një lënde shumë serioze, që ishte e Forenzikës Psikiatrike. Kjo lëndë ishte kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë, ku insistohej të ndërtohej në kuadër të QKUK-së në Prishtinë. Ne kërkuam nga Ministria që të na njoftojë për natyrën e institucionit, për rrezikun që mund të kanoset nga veprimtaria e institucionit, por nuk e morëm asgjë. Në ndërkohë u konsultova me ekspertë të rajonit, të cilët më njoftuan hollësisht për rrezikun nga të burgosurit psikiatrikë. Unë e refuzova këtë lëndë dhe propozova që ai të ndërtohet në lokacionin e burgut të sigurisë së lartë në Gërdofc. Por Ministria nuk pranoi. Kishte insistim të madh që ky objekt të ndërtohej në QKUK. Ishte e papranueshme që ne të fusim rrezikun në mesin e qytetarëve sepse QKUK-në e frekuenton e tërë Kosova. Trysnitë erdhën nga Ministria, në kohën kur ministër ka qenë Ferid Agani. Ata vlerësonin se siguria mund të jetë relative, gjë që ekspertët e rajonit nuk e trajtonin ashtu. Unë kërkova nga ta që të japin një marrëveshje trepalëshe mes MSH-së, QKUK-së dhe Ministrisë së Administratës Publike dhe të marrin përgjegjësinë për sigurinë e lartë ndaj të gjithëve. Menjëherë e dorëzova dorëheqjen time te Kryetari, të cilën ai s’e pranoi, por pas një muaji e lash detyrën dhe e vazhdova punën si këshilltare e Kryetarit”, u shpreh Çeku-Sokoli.
Nga koha kur nuk udhëheq me Drejtorinë e Urbanizmit, ajo thotë se urbanizmi ka degraduar në qytet dhe thekson se s’ka fare urbanizëm.
“Mjerisht, urbanizëm më nuk ka. Deri më tani ka pasur tentativa e projekte, por tani gjithçka është improvizim. Kemi mikro-urbanizëm. Njëfarë puzzle-urbanizëm, ose i arnuar që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ka metra katrorë të ndërtuara, madje të stërngarkuara, mirëpo aspekti urban nuk ekziston. I kemi tri lagje të paraluftës me të cilat mund të krenohemi, por s’kemi lagje të reja të mirëfillta për t’u krenuar”, u shpreh në fund të intervistës, ish-drejtoresha e Urbanizmit në Prishtinë, Luljeta Çeku-Sokoli.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)