Aktuale
Ish-burgu i Gurakocit, strehë për shtatë familje skamnore
Mbeturinat nga të dyja anët e rrugës buzë parkut në qendër të fshatit, të shoqërojnë deri te porta e hyrjes në ish-burgun e Gurakocit, i cili nga paslufta është boshatisur dhe në vend të të burgosurve, në atë objekt janë strehuar familjet skamnore, të cilat i kanë shndërruar qelitë e burgut në dhoma banimi.
Në këtë objekt aktualisht jetojnë pesë familje të komunitetit egjiptian dhe dy familje shqiptare, me gjithsej 25 anëtarë, të cilat në mungesë të shtëpive të veta, si shkak i kushteve të rënda ekonomike dhe sociale, jetojnë në gjendje të mjerueshme, shkruan sot “Koha Ditore”. Megjithëse ai objekt është më tepër si një lloj stacioni kalimtar i skamnorëve, që vijnë e shkojnë, kryesish nga komunat e tjera, disa banorë aty jetojnë me vite të tëra.
Në këtë objekt ka tualete, por nuk përdoren, sepse të gjitha janë të bllokuara, sikurse edhe kanalizimi në të cilin është objekti i kyçur. Për nevojat biologjike banorët tregojnë se dalin jashtë objektit.
Me jetesën që bëjnë ato familje në objektin e ish-burgut të Gurakocit, është e informuar Komuna, por siç thotë Mujë Osmanaj, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, problemi më i madh është te çështja pronësore e objektit.
“Toka me objekt është pronë e Ministrisë së Drejtësisë. Kurse ne si Komunë jemi të interesuar që të rrënohet komplet objekti, sepse aty me rindërtua diçka në atë objekt është e pamundur pasi ai vend është kalimtar”, tha ai.