Aktuale
Investimet në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve kërkojnë rritjen e tarifave
Çmimi dhe Përballueshmëria e Shërbimit të Largimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura: Nevojat për investime për mbledhjen, largimin dhe trajtimin në impiante pastrimi të UN vlerësohen në rreth 4 miliardë euro, ndërkohë që përfshirë edhe ato për ujësjellësit, këto nevoja në total janë 6 miliardë euro.
Skema e financimit parashikon që nga rritja e tarifave të shërbimeve të përballohen mesatarisht çdo vit rreth 40-50% e vlerës totale të kërkesës për investime kapitale
Në përgjithësi, sektori i Largimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura (UN) konsiderohet si dytësor për nga rëndësia. Sistemet e kanalizimeve të ujërave të ndotura (KUN) i gjen kryesisht në zonat urbane dhe vetëm 34/58 shoqëri janë përgjegjëse edhe për shërbimet e UN. Rrjetet e grumbullimit të UN janë të një teknologjie të vjetër, me tuba betoni që lejojnë infiltrime, pa pjerrësinë e duhur dhe bëhen shpesh subjekt bllokimi. Mjaft nga sistemet e KUN janë të komprometuara, duke mos u ndarë nga ujërat e shiut, gjë që sjell praninë e erërave të rënda dhe në raste të shirave të rrëmbyeshëm (gjë që po ndodh shpesh), ujërat e përziera të ndotura urbane vërshojnë rrugëve të qyteteve. Zhvendosja e popullsisë rurale në zonën urbane dhe bumi i ndërtimeve në qytet shpesh nuk i përgjigjet infrastrukturës aktuale, një pjesë e mirë të të cilave rezultojnë të nëndimensionuara.
Problematika
Për trajtimin e UN kemi impiante të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN) përkatësisht në Korçë, Pogradec, Durrës, Lezhë-Shëngjin, Sarandë, Kavajë, Velipojë dhe Orikum. Aktualisht është duke u rikonstruktuar ITUN në Vlorë dhe po ndërtohet një i ri për Tiranën. Operimi i ITUN ka probleme me nivelin e kualifikimit të stafit të tyre, mungesën e një strategjie dhe programi të menaxhimit të aseteve etj.
Niveli i shërbimeve të KUN konstatohet edhe nga pesha e vogël që zënë kostot e O&M të UN kundrejt atyre të ujësjellësit. Më specifikisht, për shoqëritë që kanë ITUN, këto raporte vlerësohen 24% sektori i UN kundrejt 76% të sektorit të ujësjellësit, ndërsa shoqëritë që nuk kanë ITUN, këtë raport e kanë përkatësisht rreth 5% me 95%.
Në Europë, përgjithësisht këto raporte janë të kundërta krahasuar me vendin tonë, ku kostot e shërbimeve të KUN (grumbullim dhe trajtim) përbëjnë 60-70% të kostove totale, ndërsa ato të shërbimeve të ujësjellësit zënë rreth 30-40% të tyre.
Nevoja për investime
Shifrat e mësipërme janë tregues i cilësisë së dobët të shërbimeve të sektorit të UN, si dhe i nevojës së madhe për investime që ka ky sektor për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorit dhe respektimin e kërkesave për ruajtjen e ambientit në përmbushje të Direktivës Kuadër të BE-së për Ujin 2000/60/EC. Nevojat për investime për mbledhjen, largimin dhe trajtimin në impiante pastrimi të UN vlerësohen në rreth 4 miliardë euro, ndërkohë që përfshirë edhe ato për ujësjellësit, këto nevoja në total janë 6 miliardë euro.
Financimi i investimeve
Strategjia Kombëtare e Financimit të Sektorit të Ujit me anë të një modeli 3T (Tarifa, Transferta Donatoresh, Taksa-Buxheti nga qeveria qendrore) parashikon realizimin e këtyre investimeve me një mesatare prej rreth 170 milionë eurosh në vit, për një periudhë kohe 22-vjeçare deri në fund të vitit 2040. Skema e financimit parashikon që nga rritja e tarifave të shërbimeve të përballohen mesatarisht çdo vit rreth 40-50% e vlerës totale të kërkesës për investime kapitale. Rritja e pritshme e tarifave për të realizuar objektivat dhe investimet e mësipërme do të konsistojë në pjesën më të madhe për mbulimin e kostove të shërbimeve të KUN (grumbullim, largim dhe trajtim të UN).
Ky përfundim është arritur nga një analizë e hollësishme e përballueshmërisë reale të popullsisë për të paguar faturat që do të rezultojnë nga niveli i rritur i tarifave.
Në fakt, problemi i përballueshmërisë së rritjes së tarifave paraqitet disi delikat për t’u trajtuar, sepse rritja e tyre konsiderohet në mjaft raste politikisht e pamundshme ose e papranueshme.
Bërësit e politikave ende nuk e pranojnë se shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe KUN janë shërbime të karakterit komercial si energjia elektrike dhe telefonia, por përmendin argumentin e problemit social në përballueshmërinë e pagesës së tarifave nga popullsia.
Është mjaft e rëndësishme përgatitja për vendimmarrësit e të dhënave mbi të ardhurat, si dhe shpenzimet e familjeve për ujin e përballueshmërinë, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të dallojnë që rezistenca ndaj rritjes së tarifës qëndron për shkak të përballueshmërisë së pagesës (e matshme), apo për shkaqe politike dhe/ose sociale (jo e matshme). Ky informacion është i nevojshëm edhe për ndërtimin e mekanizmave të mbrojtjes sociale.
Tarifat
Skema e financimit parashikon që nga rritja e tarifave të shërbimeve të përballohen mesatarisht çdo vit rreth 40-50% e vlerës totale të kërkesës për investime kapitale. Rritja e pritshme e tarifave për të realizuar objektivat dhe investimet e mësipërme do të konsistojë në pjesën më të madhe për mbulimin e kostove të shërbimeve të kanalizimeve të ujërave të ndotura.
Tarifat dhe shërbimet
Është gjithashtu mjaft e rëndësishme sqarimi i lidhjes ndërmjet tarifës dhe nivelit të shërbimit. Konsumatorët, në përgjithësi, pranojnë rritjen e tarifave kur perceptojnë se shërbimi është përmirësuar. Kombinimi i të dyjave është strategjia më e mirë, por që jo gjithmonë është e mundshme. Për këtë arsye duhet këputur rrethi vicioz që përgjithësisht realizohet duke kërkuar paraprakisht rritje të tarifave të shërbimeve për të përballuar një pjesë të fondeve për investimet kapitale në sektor që do të sjellë më tej rritjen graduale të cilësisë së shërbimeve.
Rritja e tarifave nga investimet duhet shoqëruar me një proces komunikimi të vazhdueshëm me publikun, për ta informuar dhe për ta ndërgjegjësuar atë për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e kontributit të tyre për të mbuluar kostot e kërkuara për rritjen e cilësisë së shërbimeve të UK. Duhet theksuar fakti se shoqëritë e UK dhe aktorët e tjerë të sektorit bëjnë shumë pak në drejtim të informimit publik për shërbimet e UN. Duket sikur interesi mbaron deri në shërbimet e furnizimit me ujë dhe nuk flitet fare për problemet, rëndësinë dhe kostot përkatëse për të siguruar një shërbim korrekt të UN, d.m.th., grumbullimi, largimi dhe trajtimi i tyre për të mbrojtur ambientin dhe shëndetin e njerëzve.
Për të vlerësuar nga ana sasiore problemin e përballueshmërisë së pagesës së tarifave, nëse i referohemi Bankës Botërore dhe KE, ato kanë përdorur si kriter për të vlerësuar përballueshmërinë konsumin mujor për person prej 3m3 (ose 100 litra/ditë/person), dhe një nivel përballueshmërie 4% të të ardhurave mesatare të një familjeje. Në këtë vlerësim përjashtohet shtresa në nevojë e popullsisë në varfëri ekstreme, që përbën rreth 2.5% të totalit të popullsisë.
Enti Rregullator i Ujit (ERRU) përdor si kriter për përballueshmërinë e pagesës së faturës së shërbimeve UK, vlerën prej 5% të të ardhurave mesatare të një familje.
Në rang vendi, të ardhurat mujore mesatare të përgjithshme të një familje (pa përfshirë atë të 10% të shtresës së pasur) vlerësohen rreth 70,000 lekë/muaj, që i korrespondon një mesatare të përballueshmërisë së tarifave mesatare të shërbimeve të UK prej rreth 300 lekë/m3.
Këto vlera tregojnë se ka shumë hapësirë në drejtim të aftësisë paguese për të përballuar rritjen e tarifave. Në këtë vlerësim janë mbështetur dhe konkluzionet e strategjisë së financimit të sektorit (3T) për të përballuar një pjesë të konsiderueshme të nevojave për investime (rreth 40-50% e tyre) me anë të rritjes së tarifave.
Në fakt, INSTAT në vitin 2014 ka realizuar llogaritjen e të ardhurave për shtresa të popullsisë, në mënyrë më të detajuar duke i ndarë ato në 10% (secila). Nëse për përballueshmërinë do të konsiderojmë pjesën prej 10% të shtresës së varfër të popullsisë (jo atë në nevojë), niveli i përballueshmërisë për këtë shtresë i përgjigjet një tarife mesatare të shërbimeve prej rreth 130 lekë/m3, tarifa të cilat aktualisht janë në kufi ose tejkaluar pak vetëm për shoqëritë UK të qyteteve të Korçës dhe të Durrësit.
Trajtimi i problemit të përballueshmërisë bazuar në të ardhurat mujore të çdo familje, duke i konsideruar në mënyrë më të detajuar shtresat e ndryshme të popullsisë sipas 10% dhe sipas çdo qarku, është mënyra më objektive e vlerësimit të tij, e cila jep një tablo më të qartë edhe të reagimit të pritshëm nga publiku kur propozohet rritja e tarifave, si dhe të ndërtimit të politikave sociale nga qeveria qendrore dhe ajo lokale. Nga disponibiliteti i këtyre të dhënave do të varet në të ardhmen edhe kriteri i përballueshmërisë që ERRU do të përdorë në metodologjinë e saj, për aprovimin e tarifave të shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve të ujërave të ndotura.