Connect with us

Arkitekturë

INTERVISTË | Besa Zajmi, arkitektja që eci mbi sfida të bëhej “dikush” në Zvicër

Published

on

Të skicosh çdo detaj të projektit arkitekturor në fletë, e t’i shohësh ato projekte të jetësuara rrugëve të qytetit, madje, për to të marrësh edhe çmime ndërkombëtare, nuk është aspak e lehtë.

Intervistoi: Arta Desku

Por, arkitektja nga Kosova që jeton në Zvicër, Besa Zajmi ka dëshmuar se edhe pse nuk është e lehtë, një gjë e tillë nuk është as e pamundur. Së fundmi ajo është shpërblyer me çmimin që vlerëson punën e studiove të reja arkitekturore, nga “Foundation Awards”, i cili iu dha “Studio Barrus”, pjesë e së cilës është edhe arkitektja kosovare.

Për t’i arritur këto suksese për Zajmin do të kishte qenë shumë më e vështirë po të jetonte në Kosovë, meqë sipas saj, arkitekti në Kosovë nuk ka aq vlerë, pasi që kushdo mund të ndërtojë shtëpi dhe se gjithkush është një arkitekt, kur mungon një sistem licencimi.

Gjatë intervistës për Ndërtimi.info, ajo ka theksuar se Kosova si shtet i ri është ende shumë larg planifikimit urban dhe standardeve të ndërtimit, e që në rrethana të tilla është vështirë të punohet.

Megjithëkëtë, edhe pse në moshë të re, përveç praktikës së përbashkët me kolege, “Studios Barrus”, Besa Zajmi ka arritur të ketë edhe studion e arkitekturës “Besabild”, e në të njejtën kohë është asistente për Inxhinieri dhe Arkitekturë, në Shkollën Teknike të Luzernit.

E akritekja kosovare do të ishe e lumtur sikur në fushën e arkitekturës të kishte më shumë gra.

Më poshtë sjellim intervistën e arkitektës Besa Zaimi dhënë për Ndërtimi.info ku rrëfen  rrugëtimin dhe rëndësinë e profesionit që ka zgjedhur.

E lindur në Gjakovë në vitin 1988, arkitektja do të shpërngulej në moshën 2 vjeçare në Kanton St.Gallen, në nië qytezë të vogël që quhet Gossau, në Zvicër. Aty do ta përfundonte shkollën fillore dhe gjimnazin në St. Gallen, drejtimi “Dizajn Artistik”. Në vitin 2008 kishte filluar studimet për arkitekturë në Universitetin “ETH Zurich”, në të cilin edhe magjistroi në vitin 2014.

Si ka lindur pasioni i juaj për arkitekturën?

Mund të them, si e vogël më pëlqente të vizatojë. Në çerdhen e fëmijëve kishte shumë mënyra  për ta kaluar kohën e lirë, por unë gjithmonë zgjedhja të pikturoja. Në Zvicër fëmijët që nga çerdhja janë të ballafaquar me kreativitetin, ju mundësohet të zhvillojnë fantazinë e kreativitetit dhe të jenë praktikë.

Në shkollën fillore po ashtu më bënte kënaqësi lënda e artit figurativ dhe e punës së dorës. Përveç peisazheve të ndryshme me kënaqësi të madhe vizatoja shtëpitë me oborre të rregulluara. Deri në përfundim të shkollës fillore rregullisht kam vizituar në kursin e artit figurativ. Ndërsa, në shtëpi përveç lojës me kukulla favorit e kam pasur edhe lojën kompjuterike «Sims» përmes së cilës vizatoja shtëpi të ndryshme dhe i rregulloja ato si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

A e keni pasur vështirësi gjatë studimeve, në profesionin e zgjedhur?

Siç dihet, shkollimi në Zvicër përgjithsisht nuk është i lehtë. Të studiosh dhe të përfundosh studimet në ETH–Zürich, e sidomos në degën e Arkitekturës që nga dita e parë nevojitet një dëshirë, një disiplinë, një sakrificë dhe një përkushtim i madh.

Më kujtohet dita e parë kur fillova studimet në ETH – Zürich dhe thënia e një profesori: “Këtu tek ne dita i ka 25 orë dhe java 8 ditë“. Në fakt ashtu ka qenë.

Gjatë studimit pesëvjeçare kam pasur shumë netë pa gjumë. Por, meqenëse kryesisht kohën e kaloja në atelienë e fakultetit, kam pasur mundësinë të njihem dhe të punojë së bashku me studentët e tjerë, me dy prej të cilave vazhdojmë të kemi një bashkëpunim të ngushtë edhe sot. Meqenëse kam pasur një vullnet dhe përkushtim të madh, mund të them që vështirësitë i kam tejkaluar më lehtë.

Cili ka qenë çmimi juaj i parë  në karrierë dhe çmimet e tjera përveç atij nga “Foundation Awards“?

Në vitin 2017 së bashku me shoqet e mija të studimeve po ashtu arkitekte Romana Castiglioni dhe Alexia Sawerschel, themeluam zyrën tonë arkitektonike “Studio Barrus”. Konkuruam në një konkurs të hapur në Bern. Detyra projektuese ishte një çerdhe për fëmijë. Pra, për neve ishte konkurimi i parë dhe ne e fituam vendin e tretë ndër 60 konkurues, çka ishte një sukses i madh për neve.

Tani me 30 Janar 2019, “Fondacioni Award” për vitin 2019 e ndau çmimin e parë për Studion tonw “Studio Barrus”. Sukses i madhë për studion tonë dhe neve të trijave.

“Fondacioni Award” që nëntë vite promovon apo si të them sponsorizon zyrat arkitektonike inovative të udhëhequra nga arkitektë të rinj. Konkurrenca për ta fituar këtë çmim ishte e madhe. Këtë vit për këtë çmim kishin konkurruar 40 zyra arkitektonike. Në një konkurrencë të tillë juria nuk e kishte edhe aq të lehtë të vendoste për tri vendet e para.

Kriteret ishin të larta, arkitektët më projektet e tyre duhet të tregonin konturat e një potenciali të së ardhmes që tejkalon rrjedhën e tanishme dhe mund të hapë rrugë të reja për arkitekturën Zvicerane.

Ky ishte vlerësimi i jurisë:

Këtë vit “Studio Barrus”, me portofolin e saj tregoi një qëndrim dhe një mënyrë komunikimi shumë bindëse për një juri profeionale.

“Studio Barrus” me projektin e vet e përshkruan veten jashtëzakonisht simpatike dhe vetëkritike si “të rinj, të motivuar dhe pak naiv” por qëndrimi se në qendër të arkitekturës është NJERIU DHE VENDBANIMI I TYRE, e bindi jurinë të ndajë vendin e parë për këto tri arkitekte të reja.

Na flisni më shumë rreth studios “Besabild, kur u krijua dhe cila është e veçanta e saj?

Në vitin 2015, pasi u ktheva nga New York-u, një zyrë e njohur e Cyrihut që quhet Meili Peter po kërkonte dikë që bënë vizualizime për projekte të tyre. Ata donin të ofronin diçka ndryshe nga zyrat e zakonshme të vizualizimit. Unë ju tregova disa nga vizualizimet e mia nga koha studimeve dhe New Yorkut. Vizualizimet e mia janë më abstrakte dhe artistike, më pak reale se tjerët. Unë përpiqem të krijoj një lloj pikture me çdo vizualizim. Atyre ju pëlqeu mënyra dhe më dhanë dy urdhra menjëherë. Kështu vazhdova të bëj vizualizime edhe gjatë kohës kur punova në zyre arkitektonike. Pas punës dhe vikendeve punoja për zyra tjera dhe ju bëja vizualizimet. Kërkesat për këto projekte rriteshin gjithnjë e më shumë kështu që vendosa të themelojë zyrën time të vizualizimit që quhet “Besabild”.

Po “Studio Barrus”, me kë jeni bashkëpunëtorë dhe si funksionon?

Në vitin 2017 së bashku me shoqet e mija të studimeve po ashtu arkitekte Romana Castiglioni dhe Alexia Sawerschel, themeluam zyrën tonë arkitektonike “Studio Barrus” në Zurich. Pasi e morëm vendin e tretë, në konkursin e parë në Bern, vendosëm që edhe më tutje me projektet tona të marrim pjesë në konkurse të ndryshme këtu në Zvicër.

Përveç punës në studion time “Besabild” dhe ne studion e përbashkët “Barrus”, punoj 50-60% asistente në Shkollën e Lartë Teknike në Luzern, ndërsa shoqet e mia Romana dhe Alexia per t’u vetëfinancuar janë të punësuara po ashtu 60% në zyra tjera arkitektonike këtu në Cyrih. Takohemi së bashku dy ditë në javë dhe shpesh në fundjavë dhe pas punës për të punuar për studion tonë.

Nga çfarë inspiroheni për projektet e juaja dhe çka i veçon ato?

Në qendër të punës sonë, si një elefant i madh në dhomë, është gjithmonë qenie njerëzore dhe habitati i tij. Ne mendojmë për arkitekturën si një ndërveprim midis figurës së madhe dhe detajit të vogël. Njeriu përvetëson arkitekturën dhe mjedisi i ndërtuar ofron një skenë për jetën njerëzore.

Kuptimi i vendit të lidhur me historinë dhe peisazhin e saj është pozicioni i nisjes për çdo dizajn. Propozimi ynë i projektit me vetëdije kërkon dialogun me mjedisin.

Ne e kuptojmë arkitekturën tonë si një përgjigje të ndjeshme mbi kulturën ekzistuese të ndërtimit dhe në të njëjtën kohë si një prelud për diçka të re – një epokë e fortë dhe e lumtur. Ne ndërtojmë hapësirat e jetesës dhe e marrim atë detyrë me seriozitetin më të madh.

Spektri i madh i historisë arkitektonike na frymëzon. Hapja ndaj arteve të tjera na jep pikëpamje të reja. Shkëmbimi konstant me disiplina të lidhura (inxhinierë, planifikues dhe mjeshtër) na lë hapur për gjëra të reja. Një vlerë e madhe gjithashtu ka një bisedë personale me përdoruesit tanë të ardhshëm. Ne ndërtojmë për njerëzit dhe jo për arkitektët. Qëllimi është gjithmonë ankorimi i projekteve tona në kontekstin e sotëm.

Ne jemi të pozicionuar mirë me një rrjet të zgjedhur të menaxherëve të fushave me përvojë, planifikuesve të kostos, inxhinierëve, arkitektëve të peizazhit dhe mjeshterve. Pajisja jonë e provuar e punës është diskursi. Së bashku me të gjithë të përfshirët, ne zhvillojmë zgjidhje.

Sa ka ka qenë i vështirë zhvillimi i karrierës në Zvicër?

Unë jam vetëm në fillim të karrierës sime dhe deri më tani kemi arritur dy suksese që nga pavarësia jonë e shkurtër. Duket e lehtë, por sigurisht që nuk është.

Ne punojmë pothuajse 200% në mënyrë që edhe në të mund të qëndrojmë financiarisht në këmbët tona. Kjo kërkon shumë netë pa gjumë dhe guxim.

Ka shumë arkitektë në Zvicër dhe mbi të gjitha, në Zurich. Konkurrenca është shumë e madhe.

Pjesëmarrja në konkurse nuk është gjithnjë motivuese. Zyrat e reja pothuajse mund të marrin pjesë vetëm në konkurse te shpallura hapur. Aty ka zakonisht 100-200 pjesëmarrës.

Nganjëherë dyshojmë nëse kemi marrë vendimin e duhur për t’u bërë të vetëpunësuara. Sidomos kur një konkurs na humb përsëri.

Por, ky profesion është pasioni ynë dhe jo vetëm një profesion, është një jetë e tërë. Ne besojmë në vlerat tona dhe besojmë se ne mund të krijojmë diçka të bukur. Nëse marrim konfirmim nga njerëz të tjerë, siç na dhe juria e çmimit të fondacionit, për punën tonë, atëherë kjo na motivon të vazhdojmë.

A mendoni se po të jetonit në Kosovë do të kishte qenë më i vështirë depërtimi, nëpërmjet arkitekturës, në shtetet e tjera si në Zvicër, SHBA etj?

Po e sigurtë. Në Kosovë, çdo karrierë profesionale me duket është e vështirë. Unë nuk jam aq mirë e informuar për ligjet dhe industrinë e ndërtimit në Kosovë. Kam ndjenjën që Kosova si shtet i ri është ende shumë larg me planifikimin urban me standardet e ndërtimit, etj. Kam shumë respekt për arkitektët kosovarë sepse më duket e vështirë për të punuar në këto kushte.

Unë gjithashtu kam ndjenjën se roli i arkitektit në Kosovë nuk ka aq vlerë, pasi që të gjithë, kushdo mund të ndërtojë shtëpi, gjithkush është një arkitekt atje. Sidoqoftë, si arkitekt, gjithmonë është një sfidë për të fituar besimin e klientit.

Në Zvicër, ne kemi klubin e inxhinierisë dhe arkitektëve që quhet SIA. SIA përfaqëson interesat e tyre dhe qëndron për rëndësinë kulturore, sociale dhe ekonomike të profesioneve që përfaqëson. Kjo është një shtyllë e rëndësishme për ne arkitektët.

Por në Kosovë, shoh një vend me potencial të madh. Ekzistojnë struktura interesante urbane që kanë dalë nga kjo mungesë ligjesh, me kalimin e kohës. Këto vende informale i japin vendit hijeshinë e saj.

Në të vërtetë kishte me pasë mjaft punë në Kosovë për arkitektët dhe madje edhe shumë se ne vende tjera. Por, për këtë duhet së pari të vlerësohet mjedisin i ndërtuar dhe të përdoret arkitektura siç duhet, për ruajtjen e monumenteve, strukturave urbane etj.

Nuk mundem ta harrojmë se shteti jonë duhet të ketë konturat e një vendi evropian. Kjo mund të shihet në morfologjinë e vendit, jo vetëm në politikë dhe kulturë. Deri më tash tregohet pak kujdes ndaj objekteve ekzistuese. Po ashtu edhe toka ekzistuese që është e kufizuar për njeriun, është në keqpërdorim në Kosovë. E kuptoj se ka nevojë për investime për të. Por nëse nuk reagojmë tani, së shpejti do të jetë tepër vonë. Ne duhet të mendojmë jo vetëm për tani por edhe për gjeneratat e ardhshme.

Si e shihni rolin e grave sot në arkitekturë?

Personalisht, nuk bëj dallim midis një arkitekti dhe një arkitekte. Unë të dy i marr në mënyrë të barabartë dhe seriozisht. Unë mendoj se dallimin e bëjnë vetë meshkujt, dhe aty fillon problemi. Nuk e di pse e bëjnë dallimin. Në fund të fundit, askush nuk e vëren nëse një ndërtesë është projektuar nga një grua apo një burrë. Sipas mendimit tim, këto çështje gjinore nuk duhet të ekzistojnë më.

Por është rasti që shumë më tepër arkitektë meshkuj kanë zyrat e tyre dhe zënë pozita më të larta në universitete. Si një asistente në Luzern, unë shpesh rri së bashku me ta si gruaja e vetme me tetë profesorë të tjerë në tavolinë kur bisedojmë. Do të isha i lumtur nëse një ditë më shumë profesoresha do ta mbushnin tavolinën.

A keni pasur në diskriminim për shkak të gjinisë?

Dëgjoj nga tregimet se disa kolege në botën profesionale nuk merren aq seriozisht nga kolegë të tjerë meshkuj. Për fat të mirë, kjo nuk ndodhi me mua.

Por një herë unë dhe kolegia im duhej të shkonim në vendin e ndërtimit gjatë studimit. Kur arritëm atje punëtorët e ndërtimit na thanë: helmetat e kuqe janë në kuti, dhe qeshën.

Cilët janë arkitektët shembull për t’u ndjekur, për ju?

Unë punoj shumë me referenca te arkitekturës dhe të artit. Çdo projekt që bëjë ka një ose dy shembuj që më inspirojnë.

Por  klasikët e mi që gjithmonë i shikoj në çdo projekt janë: Lina Bo Bardi, Sigurd Lewerentz, Palladio dhe Rudolf Olgiati. Këta janë shoqëruesit e  mi të përjetshëm.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë arkitektët që jetojnë në Kosovë?

Në histori, arkitektët gjithmonë kanë luajtur role të mëdha për të bërë një ndryshim. Shpesh, ata janë grupuar së bashku dhe kanë themeluar utopitë e tyre të reja. Aty perceptoheshin problemet sociale të shoqërisë dhe gjendeshin zgjidhjet për qytetet dhe situatat e jetesës

Unë besoj që arkitekti ndjen kur diçka është e gabuar në mjedisin e tij. Ai ngre pyetje dhe dëshiron të ndikojë dhe të përcaktojë hapësirën publike.

Detyra e arkitektit është shumë e bukur. Ai ka privilegjin të krijojë botë për njerëzit. Ai ndërton vende ku dikush rritet, dikush shkon në shkollë dhe dikush punon. Këto vende duhet t’u japin njerëzve një ndjenjë të mirë jete. Nëse këto vende nuk janë të bukura, është e vështirë për t’i bërë njerëzit të lumtur. Ajo që dua të them me këtë është se arkitektura ka një rol shumë më të madh në jetën e njerëzve sesa mendoni. Unë shpresoj që njerëzit dhe institucionet shtetërore në Kosovë të marrin më shumë seriozitet profesionin e arkitektit, dhe qe ata t’i japin atij më shumë mundësi dhe besim./Ndërtimi.info/

Arkitekturë

Çfarë është arkitektura kinetike?

Published

on

Dizajni kinetik është bërë një pjesë thelbësore e zhvillimit arkitektonik, nga shpikja e urave të lëvizshme në Egjiptin e lashtë deri te dhomat rrotulluese në shtëpinë e Sharifi-ha. Megjithatë, si arritëm nga kjo në këtë? Për të kuptuar konceptin e arkitekturës kinetike, le të hedhim një vështrim më të thellë në origjinën e saj.

“Kinetic” rrjedh nga fjala greke kinētikos, që do të thotë “lidhur me lëvizjen muskulare”, ndërsa përkufizimi arkitektonik është koncepti “lejimi i pjesëve të një strukture të lëvizin, pa zvogëluar integritetin strukturor”. me fjalë të tjera, është arkitekturë në formën e një trupi në lëvizje.

Një nga format më të hershme të arkitekturës kinetike është tenda e beduinëve, e përdorur në Afrikën e lashtë. Kjo strukturë elastike ftohëse është e adaptueshme ndaj klimës së shkretëtirës dhe urës së lëvizshme, një mekanizëm mbrojtës i zhvilluar në Egjipt dhe më vonë i përdorur zakonisht në shekullin e 15-të.

Megjithatë, arkitektët filluan të pranojnë konceptin e Arkitekturës Kinetike vetëm në fillim të shekullit të 20-të. Shembuj janë vizatimet e Yakov Chernikhov në Fantazitë arkitekturore dhe koncepti i pandërtuar i Thomas Gaynor për Ndërtesën Rotary në 1908, megjithatë këto botime ishin ende thjesht teorike.

Një projekt që u ndërtua ishte Villa Girasole nga inxhinieri i Marinës Angelo Invernizzi. E ndërtuar në vitin 1935, ajo është një shtëpi rrotulluese që ndjek lëvizjen e diellit për të maksimizuar nxehtësinë dhe dritën në brendësi. Girasole, e cila në italisht përkthehet në Luledielli, ndodhet në një bazë rrethore me diametër 44 metra dhe është një vepër e jashtëzakonshme arkitekturore e ndërtuar gjatë epokave të arkitekturës funksionaliste dhe futuriste.

Më vonë në shekullin e 20-të, arkitektët e zhvendosën fokusin e tyre në arkitekturën kinetike. Teori të tilla si Manifesti i Arkitekturës Mobile të Yona Friedman dhe Planifikimi Hapësinor i Qytetit, Pallati i Argëtimit të Cedric Price dhe Qyteti Plug-in i Peter Cooke u botuan. Megjithatë koncepti i arkitekturës kinetike u prezantua për herë të parë në vitin 1970 nga William Zuk, i cili botoi librin Kinetic Architecture. Kjo tërhoqi më tej interesin për konceptin kinetik ndërsa u zhvilluan shkenca kompjuterike dhe teknologjitë e ndërtimit.

Shembuj të tjerë përfshijnë shtëpinë Sharifi-Ha, e cila siguron vëllime banimi që rrotullohen për t’u kthyer në tarraca në verë dhe mbyllen në dimër, dhe Muzeu i Artit Milwaukee, me mburojën e tij të lëvizshme të diellit, i përbërë nga 72 pendë çeliku që palosen dhe shpalosen. sipas kohës së ditës, dhe Kulla Al Bahar, me një fasadë që ndjek lëvizjen e diellit për të çuar panelet e tekstilit me fije qelqi në formë ylli të hapen dhe mbyllen, duke mbrojtur banorët nga nxehtësia dhe shkëlqimi diellor.

Ka shumë shembuj të tjerë që shfaqin mundësitë e pafundme të arkitekturës kinetike, por në fund të fundit, dizajni kinetik ka ndikuar në ndërtesa në parametra të tillë si koha, moti, energjia dhe nevojat njerëzore që nuk janë statike, por më tepër dinamike. Si rezultat, dizajni kinetik i lejon ndërtesat të zhvillojnë sisteme komplekse që u përgjigjen nevojave të tyre të veçanta./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Rizhvillimi “i shëmtuar” në Liverpool, fiton çmimin për ndërtesën më të keqe të Britanisë

Published

on

Rizhvillimi i Lime Street në Liverpool nga studio britanike Broadway Malyan është emëruar ndërtesa e re më e keqe në vend në Kupën Carbuncle të këtij viti.

Organizuar nga revista e Mbretërisë së Bashkuar The Fence, gjyqtarët zgjodhën rizhvillimin e Lime Street si “ndërtesën e re shumë të keqe në Britani”, që kur konkursi u zhvillua për herë të fundit në 2018.

“Që nga shikimi i parë, dy nga paneli ynë e kishin këtë si përzgjedhjen e tyre numër një, dhe ndërsa lista e gjatë u ngushtua në një listë të ngushtë, kjo pjesë e tmerrshme e fatkeqësisë arkitekturore vazhdoi të qëndronte jashtë,” tha The Fence në njoftimin e çmimit.

Përfunduar në vitin 2019, dizajni i rizhvillimit të Broadway Malyan përmban panele metalike të gdhendura që përfshijnë një fasadë të rrugës që çon nga stacioni i trenit Liverpool Lime Street.

Panelet e gdhendura përshkruajnë ndërtesat shekullore që u shkatërruan për t’i hapur rrugë rizhvillimit, i cili tani përmban një hotel dhe strehim studentësh.

I ringjallur nga The Fence për vitin 2024, Carbuncle Cup synon të identifikojë ndërtesat më të këqija të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo u drejtua çdo vit midis 2006 dhe 2018 nga revista e arkitekturës Building Design (BD)./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Arkitektura e kontrollit: Peizazhet e çuditshme postmoderne të Koresë së Veriut

Published

on

Rrokaqiejt postmodern bashkëjetojnë me monumente socialiste në shtetin e izoluar. Shumë prej fotografive janë të publikuara nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve dhe nuk kanë datë se kur janë bërë.

Ndërtesat e larta e shumëngjyrëshe shihen përreth një monumenti të vjetër në Phenian në Korenë e Veriut, 11 shtator 2018, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Pamje gjatë natës e distriktit Songhua në lindje të Phenianit, në Korenë e Veriut. Fotoja është publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA), por nuk ka datë se kur është bërë.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite në një zonë të zhvilluar banimi në rrethin Huaseong në Korenë e Veriut, në këtë foto të publikuar më 6 prill 2024 nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, KCNA.

Pamje e përgjithshme gjatë ceremonisë së hapjes së Fermës së Serës Ryonpho për të shënuar përvjetorin e themelimit të Partisë së Punëtorëve në pushtet, në Korenë e Veriut, në këtë foto pa datë, e cila u publikua më 11 tetor 2022 nga KCNA-ja./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending