Aktuale
Intervenimi 200 mijë eurosh s’e shpëton Bibliotekën nga vërshimet
Afro një milion euro do të shkojnë shpenzimet e shtetit për mirëmbajtjen e kulmit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” që nga paslufta e deri më tash. Shumës prej 700 mijë eurosh, që ishin investuar para rreth 15 vjetësh në kulmin e institucionit, tash do t’i shtohen edhe mbi 200 mijë të tjera.
Depërtimi i ujit nëpërmjet kulmit është një nga problemet me të cilat përballet institucioni më i lartë bibliotekar në vend. Sa i përket depërtimit të ujit nga bodrumi, për sivjet duket se nuk do të ketë zgjidhje. Do të vazhdohet që uji të eliminohet përmes pompave.
Në korrik të këtij viti Ministria e Kulturës ka nënshkruar kontratë me konsorciumin “K-ING ShPK & CDC ShPK” në vlerë prej 189 mijë e 901 eurosh e 64 centë. Por kontrata që titullohet “Hidroizolimi i kulmit të rrafshët dhe atikës në objektin e BKK ‘Pjetër Bogdani’, Prishtinë”, del të jetë e pamjaftueshme për t’i kryer punët.
Të mërkurën MKRS-ja ka bërë edhe një njoftim për dhënie të kontratës. Njoftimi mban titullin “Punë shtesë-Hidroizolimi i kulmit të rrafshët dhe atikës në objektin e BKK ‘Pjetër Bogdani’, Prishtinë”. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 18 mijë e 856 euro e 12 centë. Kësisoj puna në kulmin e BKK-së do të kapë shifrën prej 208 mijë e 757 eurosh e 76 centë. Bashkë me investimin e para 15 vjetëve shifra e shpenzimeve arrin gati 1 milion euro.
Menaxhmenti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës vazhdimisht ka kërkuar që të intervenohet në kulm.
E ndërtuar në vitin 1974 dhe e dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic, biblioteka si tërësi arkitekturore paraqet një kombinim të kubeve dhe kupolave dhe i takon tipit të arkitekturës të “regjionalizmit të ri”. Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës në vitin 1982 (e njohur në atë kohë si Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës) e fillon veprimtarinë e vet në këtë ndërtesë. Ndërtesa është katërkatëshe me sipërfaqe prej 16.500 m², prej të cilave 13.500 m² sipërfaqe të shfrytëzueshme.