Aktuale
Interesim i madh për të ndërtuar objekte shumëkatëshe në Kosovë

Të shumta janë ndërtimet e objekteve të larta nëpër qendra të ndryshme të vendit. Disa me plane urbanistike e disa pa to, po ngulfasin qytetet.
Në komunën e Prishtinës deri në muajin nëntor të vitit 2018 janë dhënë 52 leje për objekte shumë banesore afariste.
“Deri në fund të muajit nëntor janë dhënë 52 leje për objekte shumë banesore afariste”, u tha nga zyra për media e komunës së Prishtinës.
Përpos Prishtinës, shumë kërkesa për lejimin e ndërtimeve u bënë edhe në Gjakovë.
Përgjatë vitit të kaluar në Gjakovë ka nisur ndërtimi i 22 objekteve shumë banesore të cilat janë në ndërtim e sipër.
Nga muaji janar deri në muajin dhjetor 2018, komuna e Gjakovës ka pranuar 122 kërkesa për leje ndërtimi, nga të cilat 69 janë përmbyllur pozitivisht, 17 janë ndërprerë si procedurë dhe 15 janë refuzuar.
“11 janë tërhequr nga procedura dhe 10 të tjera janë në procedurë”, u tha për Indeksonline nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Gjakovë.
E numër i vogël i dhënies së lejeve për ndërtim të lartë ishte në komunën e Pejës dhe të Prizrenit.
Sipas të dhënave nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, këtë vit në Prizren janë lëshuar gjithsej tetë leje për ndërtim të lartë apo banim kolektiv. Por për dallim nga ky numër jo i madh për leje ndërtimi të banesave, 142 leje të tjera u lëshuan për shtëpi.
“Raste të refuzuara janë gjithsej 30”, është thënë për Indeksonline nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor.
8 leje për banim kolektiv janë lëshuar edhe nga Komuna e Pejës përgjatë këtij viti.
Sipas Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor këto leje u lëshuan nga 1 mijë e 200 kërkesa të ndryshme të cilat u bën brenda vitit. Nga 1 mijë e 200 kërkesa të cilat u bën gjithsej, 95 prej tyre u refuzuan.
Kurse në Komunën e Gjilanit deri në muajin tetor, u ndërtuan 74 objekte. Kësisoj Gjilani mban thuajse primatin për ndërtime brenda vitit.
Drejtori i Inspeksionit në Gjilan, Nevzad Rushiti ka thënë për Indeksonline se në këtë komunë ka një trend të mirë të ndërtimeve dhe se të gjitha ato janë me leje përderisa në përfundim të tetorit ishin edhe shtatë kërkesa të tjera që po prisnin për leje ndërtimi në këtë qytet./Indeksonline/
