Aktuale
Institutit Arkeologjik të Kosovës i bllokohet plani i punës për sivjet

Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk do ta realizojë planin e punës për vitin 2018 dhe mbi dhjetë projekte të planifikuara do të mbesin pa u përfunduar.
Ky është “bilanci” që ka nxjerrë IAK-ja tre muaj pa përfunduar viti dhe për këtë shkakun e gjen te telashet me buxhet, shkruan sot “Koha Ditore”. Tashmë e ka bllokuar punën në disa prej lokaliteteve më të rëndësishme arkeologjike, ku sivjet kanë qenë duke punuar ekipet.
Pamundësia për ta realizuar planin vjetor, sipas udhëheqësve të IAK-ut, është ndalimi që iu bë MKRS-së në qershor lidhur me mënyrën e financimit të institucioneve të veta vartëse. Kjo ndodhi pas Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit, që konstatoi se MKRS-ja derdhte mjete në llogaritë e tyre në bankat komerciale të paautorizuara nga Thesari i Shtetit.
Që nga fundi i muajit gusht, në dy prej lokaliteteve më të rëndësishme arkeologjike, Ulpianë e Dresnik, puna është ndërprerë dhe IAK-ja u ka mbetur borxh punonjësve. Ky institucion e ka bërë të njëjtën gjë edhe në lokalitetet e tjera dhe e ka të pamundur ta finalizojë planin e punës.
Enver Rexha, drejtor i IAK-së, ka thënë se është duke u punuar vetëm me kapacitete të vogla – ruajtje dhe sigurim të lokaliteteve të trashëgimisë – por ekipet e këtij institucioni e kanë paralizuar punën sa u përket studimeve, gërmimeve a konservimeve.
Rexha ka thënë se për sivjet IAK “nuk ka shans të mbërrijë ta realizojë planin e punës”.
“Janë diku 12 a 13 projekte që do të mbesin të parealizuara. Këtë përgjegjësi nuk e marr unë, sepse ky bllokim po vazhdon tash e gati tre muaj. Këto projekte kanë qenë të miratuara dhe unë s’jam fajtor që nuk do të realizohen”, ka thënë ai…
