Aktuale
Instituti GAP gjen parregullsi në faljen e borxheve nga Haradinaj
Me 3 tetor 2017, Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për faljen e borxheve për detyrimet që kanë ambalazhuesit e ujit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës që nga viti 2008. Duke u bazuar në argumentet e cekura më poshtë, GSJP, INDEP dhe Instituti GAP kanë kundërshtuar këtë vendim duke e cilësuar si të kundërligjshëm, të padrejtë dhe i cili dëmton qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave dhe buxhetin e Kosovës.
“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës. Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore.” thuhet në reagim.
Ata gjithashtu thonë se falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi sepse sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit, do t’i paguajë të gjitha shpenzimet të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim” dhe kësisoj, falja e borxheve nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marr aprovimin e kuvendit, duke marrë si shembull për këtë edhe ligjin për faljen e borxheve publike, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës.
“Përveç këtij neni, është shkelur parimi i përfshirjes në diskutim të palëve të interesit nga po i njëjti ligj. Sipas këtij parimi “organet kompetente janë të detyruara që të sigurojnë, që në procedurën për miratimin e dispozitave, dokumenteve strategjike, plan – programeve dhe vendimeve të marrin parasysh interesat e palëve të interesuara”.
“Në procesin e marrjes së këtij vendimi ka pasur mungesë të plotë të transparencës dhe qartazi janë përjashtuar akterë tejet të rëndësishëm në këtë proces siç janë: Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, shoqëria civile, etj. Ky vendim gjithashtu paraqet ndërhyrje të qeverisë në kompetencat e gjyqësorit, kjo për arsye se mediat kanë raportuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shtruar padi ndaj disa prej borxhlinjve të lartëcekur.
– Përveç se i kundërligjshëm, vendimi për faljen e borxheve cenon edhe qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave. Në bazë të Ligjit për ujërat e Kosovës mjetet financiare për administrimin, menaxhimin dhe zhvillimin e ujërave sigurohen pikërisht nga pagesat si ato të ambalazhuesve të ujit dhe të shfrytëzuesve tjerë. Sa për ilustrim, borxhi i falur është në vlerë prej rreth 51 milionë euro, ndërsa buxheti për investime kapitale i MMPH-së për vitin 2017 është rreth 46 milionë euro. Rritja e buxhetit për këtë sektor do të ndihmonte që të ndërmerren masat e nevojshme që menaxhimi i ujërave në Kosovë të përmirësohet.
– Falja e borxheve në mënyrë arbitrare dërgon mesazh negativ tek sektori privat dhe dëmton të hyrat buxhetore të buxhetit të Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në këtë vendim ad-hoc, shumë biznese do të hezitojnë t’i paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit të Kosovës dhe kështu borxhet e tyre do të grumbullohen dhe bëhen të papërballueshme. Në anën tjetër, institucionet publike do të kenë në vazhdimësi mungesë të të hyrave buxhetore.” kanë shtuar ata në reagimin e tyre lidhur me këtë çështje.” shprehen ata.
Me paraqitjen e këtyre argumenteve Instituti GAP, INDEP dhe GSJP kanë kërkuar që vendimi për faljen e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit të revokohet. Sipas tyre, në mënyrë që të balancohen kërkesat dhe nevojat, si të sektorit të ujërave ashtu edhe të prodhuesve të ujit, i njëjti vendim duhet të hidhet në diskutim publik me të gjithë akterët relevant, si dhe një vendim eventual duhet të marr aprovimin e Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë shtetëror i cili autorizon grumbullimin e të hyrave dhe ndarjen e shpenzimeve buxhetore.
“Njëkohësisht, INDEP, GSJP dhe Instituti GAP i bëjnë thirrje Prokurorisë së Kosovës të fillojë hetimin e personave dhe zyrtarëve të përfshirë në këtë vendim të jashtëligjshëm dhe motivet financiare të këtij vendimi.” përfunduan ata.