Featured
Institucioni shtetëror rrënoi dy monumente në Podujevë
E vetmja gjë që kanë mundur të bëjnë institucionet e trashëgimisë kulturore, është të konstatojnë se dy monumente në fshatin Reçicë të Komunës së Podujevës nuk ekzistojnë më.
“Kulla e Demë Ahmetit” dhe “Shtëpia e banimit pronë e Sabit Hamitit” tashmë janë rrafshuar. Këtë e ka bërë një tjetër institucion shtetëror, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pa leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, muajin e kaluar ka rrënuar dy objektet e shekullit XX. Në atë hapësirë ka nisur ndërtimi i kompleksit memorial “Demë Ahmeti”, ku sipas Agjencisë do të ringrihen edhe dy objektet e rrënuara e do të vishen me gurët e monumenteve.
Rrënimin atyre që mbroheshin si asete në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme me numra rendorë 1040 dhe 1041 e ka bërë me arsyetimin se objektet nuk ishin në gjendje të mirë.
Të dy mbroheshin si objekte arkitekturore të shekullit XX, dhe lidheshin me emrin kryengritësit e heroit që veproi në fund shekullit XVIII e në fillim të shekullit XIX.
Se objektet “janë rrënuar tërësisht dhe nuk ekzistojnë më”, punonjësit e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë kanë konstatuar pas vizitës në terren. QRTK-ja e Prishtinës mbulon edhe territorin administrativ të Komunës së Podujevës.