Aktuale
Institucionet ia gjuajnë “topin” njëra-tjetrës, hyrja e stacionit “det”
Reshjet e shiut të javës së kaluar bënë që në mesin e rrugëve të cilat ishin të pakalueshme në Prishtinë të renditet edhe rruga kryesore e cila të dërgon tek stacioni kryesor i autobusëve.
Nënkalimi tek ura që të dërgon drejt stacionit të autobusëve gjatë javës së kaluar përveç se ishte i pakalueshëm për këmbësorët, ajo rrugë paraqiste problem edhe për veturat dhe kalimin e autobusëve.
Një gjë të tillë e pohon edhe krye shefi ekzekutiv i stacionit të autobusëve Ylber Çitaku, i cili thotë se me një problematikë të tillë janë duke u ballafaquar për një kohë të gjatë edhe përkundër ankesave të cilat i kanë drejtuar në Komunën e Prishtinës, raporton Ndertimi.info.
“Unë kam bo kërkesa disa herë në Komunë e kam njoftu edhe kryetarin e Komunës Shpend Ahmetin, nënkryetarin mirëpo nuk kanë ndërmarrë asgjë. E me ardhjen në detyrë të Gent Begollit shpresoj që gjërat të bëhen më mirë pasi edhe këtij të fundit ja kam dërgu të njëjtat kërkesa”, ka thënë krye shefi.
Çitaku ka treguar se pas kërkesave të cilat i ka bërë në Komunë përgjigjja e vetme të cilën e kanë marrë ka qenë ajo se pastrimi i asaj zone është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndertimi.info ka kontaktuar me zëvendës drejtorin e drejtorisë rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës Qemajl Januzi ku ky i fundit ka treguar se pastrimi i asaj rruge nuk është nën përgjegjësinë e tyre, siç ishte ishin deklaruar edhe më parë zyrtarët e kësaj Ministrie. E kësaj radhe zëvendës drejtori ka potencuar se për shkaqe të sigurisë do ta verifikojnë edhe një herë këtë problematik.
“Ajo rrugë nuk është në përgjegjësinë tonë, pasi që Ministria e Infrastrukturës ka për detyrë të përkujdeset për rrugët regjionale dhe magjistralet që lidhin qytetet me njëra tjetrën. Por për të qenë korrekt ne do ta verifikojmë edhe një herë këtë çështje”, ka deklaruar Januzi.
Ndërsa, zyrtarët e Komunës së Prishtinës vazhdojnë që edhe më tutje të ngulin këmbë se Komuna nuk ka kurrfarë përgjegjësie në atë pjesë.
“Prej rrethit të Fushë-Kosovës deri tek rrethi për Veternikë andej është rrugë magjistrale edhe me dashtë ne nuk mundemi me bo asgjë në këtë aspekt pasi është rrugë magjistrale dhe përfshihen në kompetencat e Ministrisë”, ka deklaruar Adonis Tahiri nga Komuna e Prishtinës.
You must be logged in to post a comment Login