Aktuale
Inspektori i ndërtimit në Gjilan lirohet nga akuza për marrje e ryshfetit

Gjykata Themelore në Gjilan, të hënën, e ka shpallur të pafajshëm inspektorin e ndërtimit në Komunën e Gjilanit, Baki Azemi, i akuzuar për marrje të ryshfetit.
Lajmin për aktgjykimin lirues ndaj Azemit, e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.
Inspektori i ndërtimit në Komunën e Gjilanit, Baki Azemi, në seancën e mbajtur më 23 tetor 2017, ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën që e ngarkonte.
Në këtë seancë edhe pala e dëmtuar sipas aktakuzës Sabit Qerimi, ishte deklaruar i se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe nuk parashtron kërkesë pasurore juridike.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Baki Azemi, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Gjilanit, më 07 dhjetor 2013, me dashje dhe me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror për vete, ka marrë ryshfet nga i dëmtuari Sabit Qerimi.
Sipas aktakuzës, ky veprim është bërë pas një marrëveshje paraprake që të mos pengojë kryerjen e punëve ndërtimore të objektit në rrugën “7 Shtatori” në Gjilan, objekt të cilin i dëmtuari kishte filluar ta ndërtonte pa leje, kinse me qëllim të sigurimit të planit ideor duke pranuar shumën e të hollave në vlerë prej 500 euro dhe pas disa ditësh edhe 100 euro të tjera, sipas shumës së dakorduar dhe të cilat pas shiritimit të objektit në fjalë të dëmtuarit ia kthen 600 euro me arsyetimin se “kjo punë është publikuar”.
