Aktuale
Inspektorët komunalë largojnë tri kioska të vendosura në afërsi të Komunës
Drejtoria e Inspekcionit në kuadër të aktiviteteve për të vënë rregull në sferën e ndërtimit, ka shtuar këto ditë inspektimet në terren për të ndaluar ndërtimet pa leje në qytetin e Mitrovicës.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se me këtë rast inspektorët komunalë me asistencë të Policisë së Kosovës, sot kanë ndërmarr një aksion duke bërë largimin e tri kioskave të vendosura në afërsi të objektit të komunës, të cilat operonin pa leje, përgjatë rrugës “Bedri Gjinaj”, në mënyrë që të lirohet hapësira e uzurpuar komunale.
Me këtë rast, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka theksuar se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, andaj ai paraprakisht tërheq vërejtjen për shfrytëzimin e hapësirave publike dhe ndaljen e ndërtimeve pa leje, duke udhëzuar pronarët që të pajisen me leje urbanistike dhe ndërtimore nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim.
“Drejtoria e Inspeksionit nuk do të lejon asnjë ndërtim pa poseduar leje adekuate nga organi kompetent, dhe ndaj personave të tillë do të ndërmerren të gjitha masat ligjore”, ka thënë Ahmeti.
Ai po ashtu ka theksuar se investitori, i cili përkundër paralajmërimit, nuk ndërmerr asgjë për t’u pajisur me leje ndërtimi, atëherë inspeksioni do të detyrohet që në bazë të ligjit të ndaloj punimet në objekte dhe të vijojë me masa tjera tek organet kompetente.
Ahmeti gjithashtu shtoi se Komuna e Mitrovicës është e angazhuar që ta zbatojë ligjin pa kompromis, andaj kërkojnë nga të gjithë ndërtuesit që të mos e bëjnë as edhe një milimetër ndërtim pa leje paraprake, si dhe të mos i tejkalojnë lejet e ndërtimit me qëllim të respektimit të ligjshmërisë.