Aktuale
Inspektorati u bën thirrje punëtorëve të kërkojnë siguri në vendet e punës

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi u ka bërë thirrje punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë që para punësimit të kërkojnë kushte të mira dhe siguri fizike nga punëdhënësit.
Në emision “Express Intervistën” në KTV, Ibrahimi ka thënë se fusha e ndërtimtarisë ka më së shumti probleme në asketin e marrëdhënieve të punës dhe sigurisë. Inspektorati ka bërë inspektime që prej muajit mars dhe ka vënë në përdorim kushtet e reja siç janë certifikimi i personave përgjegjës për të ndihmuar punëdhënësit që të vlerësojnë rrezikun dhe të marrin masat për të ulur numrin e vdekjeve në ndërtimtari.
“Sivjet nuk ia kemi arritur qëllimin pasi kanë vdekur 19 persona. Vitin e kaluar kanë vdekur 14 në vendin e punës. Dy prej tyre janë prej vdekjeve natyrore”, ka thënë Ibrahimi.
“Edhe punëtori duhet të jetë më i përgjegjshëm dhe u bëj apel punëtorëve që të mos lejojnë të shkojnë në punë nëse nuk ka siguri, por duke punuar në kushte të këqija, rrezikohet edhe jeta e tyre”, ka thënë ai.
“Ka shumë punëtor pa helmeta, kur shkojmë në inspektime shohim helmetat e varura në mure dhe ai nuk është i vetëdijshëm se helmeta mbron nga goditjet e ndryshme dhe mund të mos vijë deri te rreziku i jetës”, ka theksuar shefi i Inspektoratit të Punës.
Ibrahimi ka thënë se sivjet në të gjithë sektorët ka pasur 700 punëtorë pa kontrata, ndërsa ai i ndërtimtarisë ka më shumë punëtorë ka kontrata punës. Ai u ka bërë thirrje që të bëjnë padi në Gjykatën Themelore nëse nuk respektohet pushimet mjekësore ndërsa familjeve të personave që kanë vdekur në vendet e punës, të kërkojnë kompensim.
“Ata duhet të bëjmë padi në Gjykatën Themelore dhe pastaj në rastin e vdekjes së punës familjaret e shohin si turp nëse kërkojnë dëmshpërblim për vdekjen e tij. Ka raste kur ka dëmshpërblime”, ka thënë veç të tjerash Ibrahimi.
