Aktuale
Inspektorati pezullon punët e 8 kompanive ndërtimore në Gjilan

Pas inspektimeve dhe pezullimin e punëve në 100 kompani ndërtimore në Prishtinë të cilat nuk kishin skele mbrojtëse dhe pajisje personale për sigurinë në punë, aksioni ka vazhduar tani në qytetin e Gjilanit.
Në qytetin e Gjilanit janë inspektuar 8 kompani ndërtimore dhe që në të 8-të kompanitë janë pezulluar punë, krejt kjo pasi që as këto kompani nuk ofrojnë sigur për punëtorët dhe nuk kanë skele mbrojtëse.
Ky aksion i Inspektoratit të Punës, ka nisur dje në Gjilan e që vazhdoi edhe sot. Kështu ka bërë të ditur për Ndërtimi.info kryeinspektori i punës Basri Ibrahimi.
“Aksioni ka nisur dje në qytetin e Gjilanit ku janë inspektuar 8 kompani ndërtimore dhe që në të 8 kompanitë janë pezulluar punët”, tha Ibrahimi.
Ndërprerjet e punëve të cilat nuk kanë skele mbrojtëse, erdhi pasi që dita e ditës shtoheshin vdekjet e punëtorëve të ndërtimit që humbnin jetë deri sa punonin.
Jetë kjo për të cilën Kryeinspektori Ibrahimi prej nisjes së aksioni ka thënë se nuk do të bëhet asnjë kompromis dhe as tolerancë ndaj kompanive ndërtimore të cilat nuk kanë në nivel sigurinë e punëtorëve.
Vetëm në periudhën kohore janar-tetor në Kosovë kanë humbur jetë 19 punëtorë të ndërtimtarisë dhe dhjetëra tjera janë lënduar. Kurse në 2017 patën humbur jetë 8 punëtorë, ndërkaq në periudhën pesë vjeçare në vendet e punës kanë vdekur 94 punëtorë.
Ndërkohë që rikujtojmë që në Prishtinë janë pezulluar punët në 100 kompani ndërtimore, nga to në 16 raste është lejuar puna pasi që kanë plotësuar kushtet e punës ndërsa ndaj 2 kompanive është shqiptuar gjobë pasi që nuk kishin respektuar vendimin e inspektoratit.
Ibrahimi për Ndërtimi.info ka thënë se aksioni do të vazhdoj në gjithë Kosovën duke shtuar se do të vazhdojnë të mbikëqyrin sërish kompanitë të cilave ua kanë pezulluar punët për të parë nëse po respektojnë vendimin e inspektoriatit.
Ndërsa, Shoqata e Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor kanë vazhduar të përpjekjet për ndërprerjen e këtij aksioni. Arsyetimi nga ta ishte se skelet mbrojtëse është vështirë të sigurohen për tregun kosovarë.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, Faton Hoxha ditë më parë ka thënë se asnjë rregullore nuk e përcakton çështjen e skeleve mbrojtëse gjatë punimeve ndërtimore.
