Featured
Inspektorati merr vërejtje nga Lekaj për kyçjet ilegale në rrugë magjistrale e autostrada
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/autostrada-3-850x567-650x358.jpg)
Kërkesat e disa komunave për kyçje në autostrada e vendit janë të vazhdueshme. Disa prej tyre tashmë edhe kanë qasje në këto autostrada dhe rrugë magjistrale, por që po konsiderohen ilegale. E, për këtë një pjesë të fajit po e mban Inspektorati i Ministirsë së Infrastrukturës për mos-ndërprejen e këtyre kyçjeve.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një intervistë për Ndërtimi.info ka folur për kyçjet në autostrada, duke potencuar se ka kyçje ilegale por edhe mungesë të rregullave që mos të rrezikohen qytetarët.
Ai, ka shtuar se dikasteri që drejton do të ketë qasje pozitive ndaj bizneseve dhe qytetarëve, por duke e ruajtur strukturën e autostradave të mbyllura.
“Prapë po flas për të gjeturat, ka shumë kyçje ilegale në rrugët e Kosovës dhe nuk ka një standard apo një rregull që të mos rrezikohen qytetarët. Unë e kam thënë por prapë e them se autostradat nuk janë vetëm për lëvizjen e qytetarëve por kanë edhe impakt pozitiv në zhvillimin e bizneseve që ka impakt prapë pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe transportin e mallrave. Dhe çdo izolim i komuniteteve të bizneseve ka impakt negativ dhe në këtë drejtim ne do të kemi një çasje tjetër pozitiv ndaj biznesit dhe qytetarëve por duke e ruajtur çdo herë atë strukturën e autostradave të mbyllura, por me vendkalime por edhe me qasje që për asnjë minutë nuk e rrezikon qytetarin”, ka theksuar Lekaj.
Ministri ka theksuar se duhet të krijohen standarde për ndaljen e kyçjeve ilegale, derisa ka nënvizuar se Inspektorati nuk i ka ndërprerë këto kyçje.
“Lidhjen me standarde që duhet bërë dhe jo me lidhje direkte sikur që kemi, në drejtim të Pejës, të Ferizajt, të Podujevës dhe Mitrovicës, por do kemi një qasje tjetër duke u bazuar në ligje dhe standarde të këtyre auto-rrugëve. Dhe e vetmja mënyrë është që ne të krijojmë një standard që të ndalim kyçjet ilegale që janë të shumta dhe inspektorati nuk ka qenë vigjilent që t’i ndërprejë këto kyçje ilegale”, ka thënë ministri.
E këto kyçje ilegale, sipas Lekajt do të ndërpriten, derisa ka shtuar se do të ketë qasje të reja në autostrada dhe rrugë magjistrale të vendit.
“Të jeni të bindur që e kam thënë dhe jam zotuar që po. Do të vlerësohen do të jenë të arsyeshme të gjitha kërkesat e qytetarëve, bizneseve por edhe të vendbanimeve të qytetarëve do të kenë qasje në autostrada por jo qasje që e rrezikojnë vetveten apo që e rrezikojnë projektin”, ka shtuar Lekaj. /Ndertimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)