Aktuale
Inspektorati i ndërtimit me kapacitete të kufizuara, shkaku i aktakuzave
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/NE-NDERTIM1.jpg)
Inspektorati i ndërtimit në Komunën e Prizrenit aktualisht po përballet me kapacitete të kufizuara njerëzore. Gjysma e inspektorëve të ndërtimit janë në pezullim parandalues për shkak se ndaj tyre janë ngritur aktakuza për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare.
Një gjë e tillë, sipas drejtuesve të Inspektoratit, paraqet sfidë serioze sa i përket mbikëqyrjes së aktiviteteve ndërtimore në Komunën e Prizrenit.
“Në Drejtorinë e Inspektorateve, në sektorin e ndërtimit duhet të jenë 6 inspektorë, sepse për mbikëqyrje permanente qyteti ndahet në 6 zona sikurse edhe udhëheqësi i sektorit. Për shkak të pezullimeve parandaluese aktualisht punojnë vetëm 3 inspektorë si dhe udhëheqësi i sektorit. Pra jemi mangu për 3 inspektorë”, ka thënë drejtori i Inspektorateve, Islam Thaçi.
Sipas tij, legjislacioni parasheh që nëpunësit civilë që janë të suspenduar të marrin gjysmën e rrogës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. “Mirëpo në anën tjetër neve s’na mundësohet hapja e vendit të ri të punës për ta plotësuar këtë zbrazëti, sepse i suspenduari merr gjysmë page”, ka deklaruar Thaçi. Ai pohon se kjo situatë ka shtruar nevojën që pjesa tjetër e stafit që mbikëqyr aktivitetet ndërtimore në Komunën e Prizrenit të angazhohet dyfish, shkruan Koha.
Ndërtimtaria është sektori me më së shumti vdekje të punëtorëve. Shumica e këtyre punëtorëve nuk kanë sigurim shëndetësor e as kontrata pune, mirëpo mungojnë inspektimet në vendet ku bëhen punimet.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)