Aktuale
INPO: Kryetari Ahmeti shpërfill debatet publike me qytetarë

Organizata joqeveritare INPO ka reaguar ndaj injorimit, siç thuhet aty, të vazhdueshëm të Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, dhe Kuvendit Komunal të Prishtinës për të prezantuar në takimet publike me qytetarë.
“Komuna e Prishtinës, më 29 qershor 2018, ka mbajtur takim të përgjithshëm me qytetarë, në të cilin nuk ka marrë pjesë as kryetari i komunës dhe as anëtarët e Kuvendit Komunal, siç obligohen me ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi për transparencë komunale”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, në veçanti përmendet ligji NR. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, respektivisht, neni 68, që obligon komunën që së paku dy herë në vit të mbajë takime publike, në të cilat takime duhet të udhëhiqen nga përfaqësuesit e zgjedhur komunal.
“Rrjedhimisht, përfaqësues të zgjedhur në komunë janë kryetari i komunës dhe anëtarët e kuvendit. Në asnjë dispozitë të këtij ligji, nuk parashihet që të emëruarit politik, respektivisht drejtorët e drejtorive të mbajnë takimet publike, pasi që ata nuk janë përfaqësues të zgjedhur nga vota e qytetarëve. Tutje, sipas nenit 7, të UA (MAPL) Nr.01/2015 për Transparencë në Komuna, kryetari i komunës ka për obligim të organizoj takime më qytetarë me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, si dhe të dëgjoj propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjeve të ngritura, e që janë kompetencë e ekzekutivit të komunës. Gjithashtu, edhe statuti i komunës e obligon kryetarin që t`i udhëheq takimet publike me qytetarë”, thuhet tutje në reagim.
INPO përmend se në bazë të monitorimit sistematik të komunës së Prishtinës, ka vërejtur se kryetari i komunës nuk merr pjesë në takime me qytetarë. Për më tepër, thuhet aty, nuk e delegon as nënkryetarin e komunës, gjë të cilën e parasheh ligji.
“Ky injorim i kryetarit të komunës ndaj qytetarëve të Prishtinës bie ndesh me praktikat e qeverisjes së mirë, transparencën dhe llogaridhënien para qytetarëve, pasi që kryetari Shpend Ahmeti, mandatin për të qeverisur më komunën e ka fituar nga qytetarët dhe ndaj tyre duhet të jetë llogaridhënës. INPO-ja, ia rikujton kryetarit Ahmeti, se sipas “Indeksit të Kënaqëshmërisë së qytetarëve më Shërbime Komunale në Prishtinë 2018”, se 62.9% e qytetarëve janë shprehur të painformuar për ndonjë takim publik apo takime tjera të organizuara. Prandaj, INPO, i bën thirrje kryetarit Shpend Ahmeti, që t`i zbatoj të gjitha obligimet ligjore për të vendosur komunikim të drejtpërdrejtë më qytetarët si dhe të jetë llogaridhënës para tyre. Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF)”, përfundon reagimi i INPO-s.
