Aktuale
Inaugurohet zgjerimi i rrugës Klinë – Pejë

Segmenti 8 kilometërsh i projektit të zgjerimit të rrugës Prishtinë-Pejë, u inaugurua sot nga kreu i Ministrisë së Infrastruktuës, Pal Lekaj. Por, u injorua nga kryetari i Pejës Gazmend Muhaxhiri i cili nuk është në raporte edhe aq të mira me zyrtarët e AAK’së.
“Projekti për “Zgjerimin e rrugës në qytetin e Pejës” (Pejë-Prishtinë), ka gjatësi prej 2 kilometra dhe kosto rreth 2.5 milionë euro, kurse ai për “Zgjerimin e rrugës Nacionale, N9, segmenti Klinë Pejë me gjatësi rreth 8 kilometra, ka kosto rreth 8 milionë euro”, thuhet në komunikatë.
Këto investime në vlerë rreth 10 milionë euro janë pjesë e programit të Qeverisë së Kosovës, për ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës nacionale në mbarë komunat e Kosovës.
Lekaj, duke iu adresuar medieve dhe qytetarëve në inaugurim të këtyre projekteve deklaroi se inaugurimi i këtyre projekteve ka ndikim pozitiv për qytetarët pejan, zhvillimin e turizmit në Bjeshkët e Rugovës dhe bizneseve të qytetit të Pejës. Ministri Lekaj poashtu tha që Qeveria Haradinaj dhe MI-ja me këto projekte dhe projektet e tjera që do të fillojnë vitin e ardhshëm, qytetit të Pejës po ia kthejnë kontributin e dhënë në vazhdimësi për liri dhe shtetndërtim.
Në fund të fjalës së tij, ministri Lekaj, para qytetarëve dha premtimin se vitin që pon vjen do të fillojë rikonstruimi dhe ndërtimi i të gjitha rrugëve të Rugovës në mënyrë që turizmit të kësaj ane t’i kthehet perspektiva dhe vëmendja e merituar.
