Aktuale
Inaugurohet fusha sintetike e futbollit në Gjakovë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/auto_unnamed_51560439791.jpg)
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përuruan sot fushën sintetike të futbollit në Shkugëz.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, me këtë rast tha se fusha ndihmëse e sapo përuruar do të përdoret nga klubi i futbollit Vëllaznimi, ndërsa ka falënderuar ministrin Gashi dhe kreun e FFK-së Ademi për ndihmën e dhënë.
“Është një fushë ndihmëse e futbollit që do të shërbejë për një kohë për Vëllaznimin, por edhe gjeneratave të reja do të stërviten këtu, do të prodhohen talente shpresoj”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, shpreson të ketë projekte të tilla në të ardhmen.
“Janë projekte të përbashkëta që i kemi me MKRS-në, pikërisht me ministrin Gashi dhe mund tët hem se ka qenë edhe ideatori i këtij projekti. Normalisht e kemi bërë edhe bashkë me komunat përkatëse që janë të dedikuar për ekipet e Superligës, në këtë rast për ekipin e Vëllaznimit, por do të shfrytëzohet edhe për ekipet tjera të komunës së Gjakovës”, tha ai.
Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, tha se është kënaqësi e veçantë të jetë në qytetin e Gjakovës për ta inauguruar këtë fushë ndihmëse, e cila është në kuadër të bashkëpunimit në mes të MKRS-së, FFK-së dhe 12 komunave tjera të Kosovës.
“Është fakt se 2019 është vit i infrastrukturës sportive, kemi investime të mëdha në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Sot në Gjakovë jemi për ta përuruar këtë fushë ndihmëse dhe të njëjtën kohë për të konfirmuar se shumë ministria do të fillojë me investime edhe në stadiumin e qytetit. Tashmë jemi në procedurë të prokurimit dhe besoj se për një kohë të shkurtër do ta fillojmë renovimin e këtij stadiumi, i cili do të jetë i kategorisë së dytë, me kushte dhe kritere për zhvillimin e lojërave vendore, përkatësisht për Superligën e Kosovës”, tha ministri.
Ndërsa, kryetari i Vëllaznimit, Agim Cana shprehu falënderime të veçanta për realizimin e idesë për krijimin e akademisë së futbollit.
“Unë kam qenë për këtë ide, por kjo ide i takon djalit tim Lorikut, se pse quhet akademie “Naim Kryeziu”, që t’i përkujtojmë legjendat që na kanë futur në ëndrra që edhe djali im dhe gjeneratë pas gjenerata mund të bëhet një Naim Kryeziu. Përshëndes familjen Kryeziu dhe do të tentojmë që mos t’ia marrim fytyrën, sepse është emër shumë i lartë”, tha Cana, ish- dikur lojtar i Vëllaznimit dhe Prishtinës./KsP
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)