Aktuale
Identifikohen dhjetëra objekte banesore pa kritere urbanizmi në Lipjan

Asociacioni i të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ”YAHR” pas një hulumtimi për kaosin e ndërtimeve në Lipjan ka konstatuar se dhjetëra objekte banesore janë ndërtuar pa i përfillur kriteret dhe standardet e urbanizmit.
Nëpërmjet një komunikate për media kjo OJQ të mërkurën, ka sqaruar se gjatë periudhës së fundit kohore ka pranuar një varg ankesash e shqetësime nga qytetarët e Lipjanit lidhur me problemet e objekteve banesore, të cilat po ndërtohen afër njëra tjetrës pa i përfillur kriteret e distancës, shkruan sot Koha Ditore.
“Në Lipjan janë ndërtuar dhjetëra ndërtesa të banimit kolektiv nga investitorët privatë pa kritere e standarde urbanistike. Në bazë të hulumtimeve tona dhe informacioneve të marra nga Drejtoria e Urbanizmit e Lipjanit, asnjë ndërtesë deri tashti e banimit kolektiv nuk është pranuar teknikisht nga kjo drejtori. Po ashtu, shqetësim më i madh i qytetareve është ai në aspektin pronësor, se këto banesa janë blerë vetëm me një marrëveshje me parakontratë midis blerësit dhe pronarit të ndërtesës, që në fakt blerësi nuk e definohen si titullar i pronës, por ligjërisht ende mbetet shitësi, pra ndërtuesi i ndërtesës”, thuhet në komunikatën e “Yahr”-së.
Sipas tyre, ekziston rreziku potencial dhe mundësia e manipulimit nga ana e ndonjë investitori të papërgjegjshëm, që këto prona t’i vendosë në hipoteka apo që është edhe më e keqja që këto banesa të rishiten disa herë blerëseve të ndryshëm.
