Aktuale
Ideja për shuarjen e OSHP-së, nuk po shihet e “hajrit” nga Demokracia+

Ideja e Ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri që të shuhet institucioni i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe me lëndët të merret gjyqësori po shihet si iniciativë pa vend nga organizata joqeveritare Demokracia Plus që po merret me këtë organ tash e dy vite.
Isuf Zejnaj nga Demokracia Plus i tha Ndërtimi.info se shuarja e këtij institucioni nuk është zgjidhje pasi që gjithë kompetencat duhet të iu barten gjykatave, ku ka theksuar se Gjykatat në Kosovë përveç që janë të korruptuara janë edhe jo efikase.
E që pastaj kjo do të zgjaste afatin për shqyrtimin e ankesave.
“Mendoj që është iniciativë e pavend. Jo pse nuk ka nevojë me ndryshu asgjë në Prokurim Publik përshkak se edhe ne si organizatë që e monitorojmë prej dhjetorit 2016 kemi disa rekomandime që mendojmë që duhet me u ndryshu në ligj rrjedhimisht edhe në OSHp. Por nuk është shuarja e OShP-së zgjidhja, përshkak se nëse e shuajmë OShP-në këtë kompetencë duhet me ua bart gjykatave. Gjykatat në Kosovë përveç që janë të korruptuar janë dhe jo efikase, zgjatet afati për shqyrtimin e ankesave edhe kjo çështje kam përshtypjen se është më problematike”, tha Zejnaj.
Kërkesa që OShP të shuhet si institucion ministri Tahiri e ka arsyetuar me atë se aty po ka ndikime të mëdha nga jashtë.
Por për këtë Zejnaj po thotë se nëse problemi është tek ndërhyrjet atëherë vetëm të ndalen ndërhyrjet që vijnë nga bashkëparitakët e Tahirit që janë në Qeveri dhe që për këtë nuk është e nevojshme të shuhet OShP.
“Nëse ka ndërhyrje, ato janë prej bashkëpartiakëve dhe partive të cilat zotëri Tahiri është në Qeveri. Dhe nëse ky është problemi ata vetëm duhet me i ndalë ndërhyrjet dhe nuk kanë nevojë me shujtë OSHP-në si institucion”, potencoi Zejnaj.
Megjithatë, ai ka shpjeguar se pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian por edhe vendet e rajonit kanë institucionet administrative të ngjashme me OShP për shqyrtim të kontesteve të prokurimit publik.
Demokracia Plus ka edhe propozime që mos të jenë vetëm pesë anëtarë të bordit të OShP-së, por të jenë pesëmbëdhjetë, e që një pjesë e tyre të jenë të deleguar nga institucionet e ndryshme publike.
“Tash propozimi jonë është që anëtarët e bordit të OShP-së mos me qenë vetëm pesë por me qenë të paktën 15-të dhe një pjesë e tyre me qenë të deleguar prej institucioneve gjyqësore, odave ekonomike të ndryshme, institucioneve të ndryshme publike, p.sh ministrisë financave dhe përzgjedhja e anëtarëve që i shqyrtojnë rastet me u bërë përmes shortit ose përmes një sistemi të pavarur që e pamundësojnë që një anëtar i OShP-së me qenë pjesë e çdo paneli shqyrtues në OShP. Në këtë mënyrë, mendoj që duke e decetralizu vendimmarrjen në OShP rregullohet edhe ky problem. Anëtarët që vijnë prej gjykatave si të deleguar munden që aty me balancë ndikimin politik eventual që vjen prej anëtarëve të zgjedhur prej kuvendit dhe në këtë formë ruhet niveli administrativ i OSHP-së, rritet përbërja. Dhe kur rritet përbërja ne duhet me i pas 3 anëtar jo permanent në kuptim që nuk janë këta punëtor full time por paguhen me mëditje për punën që e bëjnë”, përfundoi ai.
Ndryshe, ministri Tahiri kërkesën për shuarjen e institucionit të OShP-së e ka bërë sot në Takimin e Nivelit të Lartë për Sundimin e Ligjit, që kishte pikërisht këtë temë-prokurimin publik.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se këtë gjë e ka kërkuar, pasi vërehet që ky institucion ka ndikime të mëdha nga jashtë.
“Takimi i Nivelit të Lartë për Sundimin e Ligjit, sot kishte për temë prokurimin publik, si një prej fushave problematike që e kanë shoqëruar diskursin institucional për vite të tëra. Në mes tjerash, u diskutua për të arriturat, sfidat dhe problemet që e karakterizojnë veprimtarinë e Organit Shqyrtues të Prokurimit në Republikën e Kosovës. Prokurimi publik është proces jashtëzakonisht i rëndësishëm përmes së cilit realizohen shpenzimet publike të parave të taksapaguesve tanë, prandaj si institucione të përgjegjshme duhet ta evitojmë mundësinë e ndikimit politik të këtij organi. Konsideroj se formula e zgjedhjes së bartësve të funksioneve të shqyrtimit të prokurimit publik nga ana e Kuvendit të Kosovës, paraqet një rrugë të mundshme për ndikim politik, trajtim jo të barabartë të lëndëve që janë subjekt i shqyrtimit dhe rrezik të keqpërdorimit. Që nga themelimi i këtij organi, ka pasur debate rreth mundësisë së depërtimit të korrupsionit dhe kontrollit të tij nga politika” ka shkruar Tahiri.
Ai ka theksuar se gjithë ky ndryshim pritet të bëhet në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, ndërkaq lëndët e kësaj natyre mund t’i kalojnë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
