Aktuale
Ibrahimi: Riciklimi i kontrolluar i mbeturinave do të zgjidh problemin e deponive ilegale
Drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se riciklimi i mbeturinave në mënyrë të kontrolluar nga ana e institucioneve do të bëjë eliminimin e deponive ilegale.
Ibrahimi thotë se moskordinimi i aktiviteteve në mes qytetarit dhe institucioneve në nivel lokal dhe qendror ka sjell problemin e deponive ilegale.
“Mendoj se problemi i deponive ilegale në Kosovë qëndron në mos koordinimin e aktiviteteve të trekëndëshit ndërmjet qytetarit, të komunës dhe nivelit qendror. Ku në nivelin qendror janë disa ministri dhe disa agjenci qeveritare apo të pavarura që i përgjigjen Kuvendit të Kosovës. Komunat e Kosovës në shumë raste ndërmarrin veprime të eliminim e deponive ilegale, jo vetëm në kohë të fushatave, apo bashkërisht në organizatat joqeveritare, apo ato organizata që përfaqësojnë shoqërinë civile dhe ku në shumë raste marrin veprime autonome ku i eliminojnë deponitë ilegale. Por, pas një kohe përsëri në këto vende krijohen deponitë ilegale dhe këtë e bënë qytetari i Kosovës, kompanitë që merren me afarizëm, sepse në shumicën e rasteve është konstatuar se këto deponi përmbajnë mbetje inerte”, thotë Ibrahimi.
Ai duke folur për riciklimin e mbeturinave, shton se më zbatimin e plotë të Udhëzimit Administrativ për ndëshkim me gjoba mandatare, gjendja në deponi do të përmirësohet.
Pamje nga një deponi ilegale e mbeturinave
“Që disa vite është i nënshkruar Udhëzimi Administrativ për ndëshkim me gjoba mandatare, ku parashihen gjobat që dallojnë se kur gjobitet një person fizikë apo një kompani. Unë mendoj që ky udhëzim është duke qaluar, por me zbatimin e plotë problemi i deponive ilegale do të përmirësohet. Me riciklimin e mbeturinave nga ana e institucioneve të Kosovës duhet të fillojë duke u bazuar mbi Ligjin e Menaxhimit të Mbeturinave, atëherë kjo do të ndikonte në eliminimin e deponive ilegale. Nuk e di se pse në Kosovë nuk fillon ky riciklim dhe një riciklim i kontrolluar nga shteti, do të ketë përfitime. Me riciklimin e mbeturinave do të vjen deri të minimizimi i deponive që gjenden në Kosovë”, shton ai.