Aktuale
Hyjnë në fuqi udhëzimet administrative për ndërtimet pa leje, 352 mijë ndërtime do të trajtohen
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/66689284_915015008841822_1978123037295247360_n.jpg)
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me sekretarin, Arben Çitaku dhe drejtorin e Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu kanë mbajtur konferencë për media ku kanë shpalosur Udhëzimet Administrative që dalin nga Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.
Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Ministria e Mjedisit ka hartuar 5 udhëzime administrative të cilat rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje në vendin tonë.
“ Pra nga sot fillon edhe zbatimi i ligjit për trajtimin e 352 mijë ndërtime pa leje, ku pjesë më e madhe e tyre bënë pjesë në kategoritë 1 dhe 2 , e për të cilat përgjegjëse është niveli lokal, kurse për kategorinë 3 përgjegjës për procesin e trajtimit të ndërtimeve pa leje është MMPH-ja”, deklaroi ministri Matoshi.
Ministri Matoshi tha se me fuqizimin e këtyre Udhëzimeve Administrative është kompletuar në tërësi infrastruktura ligjore e për zbatimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
“Pra me zbatimin e këtij Ligj dhe Udhëzimeve Administrative do të kemi një numër dukshëm me te madh të objekteve të legalizuara gjithandej territorit të Kosovës”, tha ministri Matoshi.
I pari i MMPH-së, Matoshi tregoi se me këto udhëzime do të ketë taksa më të lira, ku për kategorinë e parë do të jetë 1 euro për metër katrorë ndërsa për kategorinë e dytë do të jetë taksa 2 euro për metër katrorë.
Pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve, ministri Matoshi tha se do të ketë takime me kryetarët e komunave dhe drejtorive përkatëse si dhe do të ketë një fushatë informuese për qytetarët e Kosovës për këtë proces.
Ministri Matoshi falënderoi donatoret ndërkombëtar: USAID, GIZ, UN-HABITAT, OSBE dhe gjithë donatorët tjerë për përkrahjen dhe kontributin e tyre dhënë në fushën e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor.
Ndërsa drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu ka prezantuar detajet e këtyre Udhëzimeve që sipas tij e plotësojnë infrastrukturën ligjore për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Ai tregoi për gjendjen e ndërtimeve pa leje që janë regjistruar në Regjistrin Nacional ku në total sipas tij janë mbi 350 mijë ndërtime pa leje.
“ Si informatë është një skemë që e kemi të ndërtimeve deri me ligjin e vjetër, ku janë 352 mijë 836 ndërtime pa leje në regjistrat që i kemi. Prej tyre janë 8 mijë e 461 qe kanë aplikuar, ku vetëm 2 mijë certifikata të legalizimit janë lëshuar dhe shumica janë në Komunën e Prishtinës”, tregoi Spahiu.
Ndërsa, institucionet e përfshira në këtë proces janë edhe Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Infrastrukturës, Ministria për komunikim me diasporën, Ministria për komunitet dhe kthim, Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, Agjencia Kadastrale e Kosovës, Instituti për Planifikim Hapësinor.
Udhëzimet Administrative që janë nënshkruar nga ministri Matoshi dhe që sot kanë hyrë në fuqi janë:
Udhëzimi Administrativ për përmbajtjen dhe kërkesat për Bazën e të Dhënave të Legalizimit të ndërtimeve pa leje;
Udhëzimi Administrativ kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe II;
Udhëzimi Administrativ për kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë III;
Udhëzimi Administrativ për procedurat dhe kërkesat për rrënim të ndërtimeve pa leje dhe Udhëzimi Administrativ për procedurat e ankesave kundër vendimeve për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)