Featured
Hulumtimet e reja tregojnë se punëtorët e ndërtimit fitojnë më shumë se arkitektët

Shpërblimi i punës me pagë adekuate mujore jo çdo herë shkon në proporcion, veçanërisht në Kosovë ku punonjësit shpesh përballen me pakënaqësi të ndryshme. Nga ky problem nuk janë të përjashtuar as arkitektët e ndërtimtarët. Madje nënpagimi i arkitektëve del të jetë problem global pasi që sipas hulumtimeve të fundit, të bëra në Britani, vlerësohet se ndërtimtarët fitojnë më shumë se arkitektët.
Kjo gjë është bërë e ditur nga Federata e Ndërtuesve (Federation of Master Builders- FMB), nga Britania e Madhe, e njohur si shoqata më e madhe tregtare në industri, transmeton Ndërtimi.info.
Sipas këtij hulumtimi një punëtor mesatar merr një pagë rreth 10 përqind më të lartë se një arkitekt.
Hulumtimi tregon se në përgjithësi punëtorët e ndërtimit, përfshirë muratorët, punëtorët që punojnë në skela, ata që shtrojnë dysheme, që rregullojnë muret e tavanet paguhen më shumë se arkitektët.
Përveç kësaj, sipas një studimi nga Zyra për Statistikat Kombëtare, e Britanisë në raportin e të ardhurave të vitit 2017, ishte bërë e ditur se paga vjetore mesatare për arkitektët në Britani të Madhe ishte afërsisht 38 mijë e 228 funta. Nga ana tjetër, punonjësit e ndërtimit, sidomos muratorët, kishin pagë mesatare vjetore prej 42 mijë e 034 funtash.
Artikulli i revistës “Arch2o” dedikuar kësaj çështjeje tregon edhe raportin e Federatës së Ndërtuesve FMB që zbuloi se njëra nga firmat i paguante punëtorët e ndërtimit në Londër me rreth 90 mijë funte në vit. Megjithatë, sipas artikullit ajo që e bën këtë studim edhe më të habitshëm është se shumica e punëtorëve të ndërtimit nuk punojnë deri në orët e vona të natës, siç bëjnë shumë arkitektë në zyrat e tyre, pasi puna e ndërtuesve në terren zakonisht përfundon me perëndimin e diellit.
Tutje thuhet se megjithëse detyrat e punëtorëve të ndërtimit zakonisht përfshinë punë të vështirë, është e pamohueshme që paga e arkitektit tipik është ende relativisht e ulët, duke marrë parasysh orët shtesë të punës dhe ngarkesën e tepruar.

Këtu janë pagat mesatare vjetore sipas një sondazhi prej 320 anëtarësh, të bërë nga FMB:
Arkitektët 38,228 funte
Hidraulikët 48,675 funte
Punonjësit e dyshemesë 39,131 funte
Muratorët 42,034 funte
Elektricistët 47,265 funte
Operatorët e inxhinierisë civile 44,253 funte
Rregulluesit e materialeve të çelikut 44,174 funte
Rregulluesit e tavaneve 42,303
Punëtorët që punojnë me llaç 41.045 £
Punëtorët e skelave 40.942 funte
Operatorët e bimëve 38,409 funte
Piktorët dhe dekoruesit 34,587 funte
Punëtorët e ndërtimit të përgjithshëm 32,392 funte/Ndërtimi.info/
