Aktuale
Hoxhaj thotë se ka përfunduar procesi për lëshimin e lokaleve me qira në Pejton

Hajdar Hoxhaj, ushtrues detyre i kryeshefit Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Banesore, thotë se ka përfunduar procesi i ankandit për lëshimin e lokaleve me qira në lagjen Pejton.
“Njoftoj qytetarët dhe aplikuesit se pas një periudhe të gjatë kohore, sot me dt. 15 nëntor 2018, përfundoi procesi i ankandit për lëshimin e lokaleve me qira në lagjen Pejton. Historiku i këtij ankandi fillon në shtator të vitit 2017 ku pas tentimeve për manipulim dhe pazarllëqe, tashmë dhe publike, të ish-menaxhmentit të kaluar ky proces është anuluar dy herë, për tu hapur sërish në tetor të këtij viti”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, transmeton Koha.net.
Ai shton se menaxhmenti i ri i kësaj Ndërmarrje ka qenë në dijeni për këtë proces të tej zgjatur dhe ndien keqardhje për aplikuesit e mëhershëm të cilët kanë aplikuar në shpalljet të cilat janë anuluar nga menaxhmenti i kaluar, andaj menjëherë pas funksionalizimit të menaxhmentit të ri dhe pas vendimit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore, është bërë Shpallja Publike, nr. 02-02-194/2 e dt. 05 Tetor 2018, për të ftuar qytetarët të aplikojnë për marrjen me qira të lokaleve në lagjen e Pejtonit.
“Për shqyrtimin e aplikacioneve është formuar një komision, përbërja e të cilit ishte nga tre përfaqësues të NPB-së dhe nga dy ekspertë të jashtëm. Komisioni duke u bazuar në detyrat e caktuara ka bërë vlerësimin e ofertave për marrjen në shfrytëzim me qira të lokaleve në fjalë, për të vazhduar me Shpalljen e Rezultateve Preliminare të publikuara më 30 Tetor 2018. Pas Shpalljes së Rezultateve Preliminare është formuar Komisioni për shqyrtimin e ankesave, i cili pas shqyrtimit të ankesave merr vendim që të mbetet në fuqi Shpallja e Rezultateve Preliminare për Shpalljen Publike të dt. 04 Tetor 2018”, shkruan Hoxhaj.
Në ditët në vijim, ai thotë, se do të publikohet edhe shpallja e radhës për lokalet e mbetura dhe që nuk janë lëshuar ende me qira, prandaj inkurajoj të gjithë qytetarët e interesuar që të jenë pjesë e këtij procesi, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për aplikim përmes bizneseve tuaja duke iu garantuar një proces profesional dhe transparent përzgjedhës.
