Arkitekturë
Hosteli në Prishtinë që tenton të prezantojë Kosovën tek ndërkombëtarët

Nga turistët apo kalimtarët nëpër Prishtinë që do t’i zë nata, tashmë do të mund të akomodohen në një hostel mjaft tërheqës. Në hapësirat e këtij hosteli mbizotëron drita natyrale dhe ngjyrat e ndezura, një vend ku takohen kokë më kokë tradicionalja me bashkëkohoren. Një lojë e mahnitshme figurash e rrëfimesh, shkrihen në elemente të traditës së lashtë shqiptare, duke përçuar mesazhe të ndryshme.
Agnesa Sejdiu
Studioja e arkitekturës Maden Group, ka krijuar dizajnin e hostelit “mami’s hostel” në Prishtinë, dhe pas këtyre veprave të mahnitshme të artit, qëndron një punë gati tre mujore, nga hulumtimi për hostelet deri tek produkti final.
Në një komunikim për Ndërtimi.info, arkitektët kanë treguar se së pari kanë zhvilluar një hulumtim disa javor se nga kush vizitohen hostelet në Kosovë dhe Shqipëri për të ardhur në përfundim se në të shumtën e rasteve janë ndërkombëtarët ata që gjejnë strehim në këto hostele. Dhe meqë qëndron kështu, ata i bënë pyetje vetes se “çfarë duam t’ju tregojmë atyre?”.
Duke u bazuar në traditën tonë, ata kishin menduar që duhet të gjejnë një mënyrë që t’i prezantojnë ato duke synuar për një prezantim dinjitoz.
“Përdorimi i produkteve tradicionale prezanton traditën tonë, mënyra e punimit të tyre nga zanatlitë e pandryshuar me vite prezanton qëndrueshmërinë. Kurse, trajtimi i tyre nga artistët e rinjë të kohës se sotit prezanton bashkëkohoren apo të ardhmen që kemi. Secila hapësirë është identifikuar me një element apo disa elemente të multiplikuara, të cilat janë trajtuar si një vepër arti. Artistët kanë qenë të lirë të shprehin artin e tyre”, thanë ata.
Korridorin e karakterizojnë kombinimi i ngjyrës së bardhë e të zezë me disa spërkatje të së kuqes së ndezur e cila gjendet në pikturën mbi sofër të “Geisha”-s, ku është prezantuar përsosmëria e sofrës, sipas artistes e cila e ka punuar, Mimoza Rraci. Veprat e artit vijohen nga çiftelijat të cilat zhyten në ngjyrë të gjelbër të ndezur me figura të femrave ku është ngritur një paralele në mes të dyjave: formës së çiftelisë dhe trupit të femrës, e punuar nga Mimoza Rraci dhe Shkamb Hadri.
E kur bëhet fjalë për elementet tradicionale, s’kanë si të mungojnë edhe defat. Pesë prej tyre janë vendosur në një dhomë gjumi me një shtrat fjetje, me mure në ngjyrë të kaltër të mbyllur. Të varur në mur dhe radhitur njëri pas tjetrit vertikalisht, krijojnë një lloj luleje të njohur si “pipilija” e ku në këtë rast është paraqitur si simbol i natyrës, dashurisë, gëzimit, besnikërisë dhe lojës nga Lirijan Ibrahimi.
Dymbëdhjetë fyella bojë qielli me dritare të vogla të vizatuara nga Donika Hajdari, si simbolikë ë të pamurit jashtë kornizave, qëndrojnë të varur mbi një sipërfaqe të bardhë të lëmuar.
Ballkoni me pamje nga rruga kryesore është i mbyllur me një dritare të madhe që krijon një lidhje me ambientin e jashtëm duke krijuar rehati të këndshme në hapësirë pa marrë parasysh kushteve të jashtme atmosferike. Aty kanë zënë vend ulëset e vogla të drurit që në gjuhën e popullit njihen si “shkama”. Të pikturuara nga Rrezart Dujaka, ata përmbajnë figura “doodle” që simbolizojnë fëmijërinë dhe ëndrrat e fëmijëve në ikona.
Për pjesën tjetër të enterierit, studioja tregon se kanë menduar që vëmendjen ta kthejnë nga veprat e artit, e ngjyrat e tjera të ambientit janë vetëm “shërbesë” e veprave artistike. Përdorimi i rrjetave metalike është me bazë në arkitekturën bashkëkohore që jep mundësi të përdorimit të materialeve të “pavlera” që nëpërmes dizajnit të kohës i shtohet vlera reprezentative.
“Duke u bazuar në faktin që pesha kryesore të bie mbi veprat e artit, pjesa tjetër e enterierit është trajtuar në ‘shërbim’ të tyre. Ngjyrat e ndezura janë përdorur si shenja identifikuese të hapësirave, e po ashtu që të krijojnë lidhje me veprat e artit”, u shprehën ata.
Duke folur për projektin ata thonë se kritikat kanë qenë të shumta, si pozitive ashtu edhe nga ato skeptike që i shohin elementet tradicionale si të paprekshme.
“Qëllimi jonë është që të nxisim debate dhe ajo është arritur. Për ne është e rëndësishme që t’i kthejmë në jetë ato produkte dhe mendojmë që vetëm në atë mënyre atyre ju rritet jeta”, tregon Maden Group.
Për fund, ata thanë që në këtë projekt ka pasur rendësi të veçantë edhe investitori, i cili ka qenë përkrahës i madh që ata të bëjnë diçka jo të zakonshme dhe “eksperimentale”.
