Aktuale
Historia e Prishtinës përgjatë 450 vjetëve në 38 mijë dokumente
Një histori thuajse krejtësisht e panjohur për më shumë se katër shekuj prapa në kohë për Prishtinën. Fermane perandorake, të dhëna kadastrale, urdhra për shkarkime e emërime, ankesa e kërkesa të ndryshme ndriçojnë të kaluarën e Prishtinës dhe të sanxhakut që mbante emrin e saj. Në inventarin e dokumenteve osmane përfshihen edhe 5 fermane perandorake, më i vjetri prej të cilëve i përket vitit 1620 e që flet për fshatin Bërvenik.
Përvjetorin e 51-të të themelimit, Arkivi Komunal i Prishtinës e ka shënuar me pasurimin e fondeve të tij me dokumente të reja të proveniencës osmane. Të sjella qysh në vjeshtë të vitit 2017, përmbajtja e mbi 38 mijë dokumente osmane janë përmbledhur në librin “Katalogu i Dokumenteve Osmane në Arkivin Komunal të Prishtinës”, që u promovua të martën në Sallën e Kuvendit Komunal, shkruan sot Koha Ditore.
Të vlerësuara si thesar kulturor e lëndë e vyer për studiuesit dhe publikun, 7.519 dosje arkivore, me gjithsej 38.598 dokumente, tashmë janë të qasshme në formë digjitale në fondet e Arkivit Komunal në kryeqytet.
Një “reges” i tyre, siç quhet në gjuhën e arkivistikës përshkrimi i përmbledhur i përmbajtjes së dokumenteve, është bërë nga përkthyesit Besir Neziri e Mead Osmani.
Si prolog i gjithë këtij projekti kishte shërbyer një vizitë në vitin 2017 e një delegacioni të Komunës së Prishtinës në Arkivin e Perandorisë Osmane në Stamboll. Edhe Konsullata e Kosovës në Stamboll u kishte dhënë krah përpjekjeve të zyrtarëve të Prishtinës për të vënë kontakte me autoritetet arkivore turke. E prej kohësh punonjësja me prejardhje nga Kosova në Arkivin Osman, Ayten Krasniqi-Ardel, i kishte vënë në dijeni për ekzistencën e dokumenteve arkivore për sanxhakun e Prishtinës.