Aktuale
Hiqet TVSH për mjetet e materialet që do përdoren për rindërtim
Qeveria ka depozituar në Kuvend aktin normativ që përjashton nga detyrimi i TVSH, mallrat dhe pajisjet cilat përdoren për të rindërtuar zonat e prekura nga fatkeqësitë.
“Këtë përjashtim e kemi kufizuar në rastet dhe afatet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Këto dy elemente janë pjesë e fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe përfaqësojnë një interes publik madhor. Mbrojtja kombëtare dhe ajo civile janë në bazë të piramidës së nevojave të një kombi sepse kanë të bëjnë me vetë mbijetesën dhe vetë prezervimin e tij. Për mjetet dhe pajisjet ushtarake që do të importohen nga vende të NATO-s dhe vendeve të tjera aleate, si dhe ato materiale dhe pajisje që do të përdoren për rindërtimin e zonave të fatkeqësisë, nuk duhet të krijohen barriera financiare. Ato duhet të bëhen drejtpërdrejt të aksesueshme dhe të futen menjëherë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa detyrime doganore ose tatime dhe taksa për vetë qëllimin e përdorimit të tyre” shkruhet në relacion.
Në relacion evidentohet gjithashtu se si subjekt i këtij akti normativ, janë përfshirë edhe materialet që importohen për qëllime të mbrojtjes kombëtare dhe për këtë jepen edhe arsyet.
“Në raste të shumta Ministria e Mbrojtjes nuk ka mundur të importojë materiale dhe pajisje ushtarake nga shtetet aleate, për shkak të pamundësisë së pagimit të TVSH-së për to. Importimi përdorimi i këtyre materialeve dhe pajisjeve ushtarake, do të kishte pasur një ndikim të paçmueshëm në rritjen e kapacitetit të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtarë dhe nuk duhet të jenë pjesë e skemës së TVSH-së për shkak se janë jashtë qarkullimit civil dhe nuk rishiten nga Ministria e Mbrojtjes për arsye të vetë natyrës së tyre” shkruhet më tej në relacionin e aktit normativ./SCAN