Aktuale
Hetimet e para tregojnë arsyet e zjarrit në katedralen e Notre Damit

Qarku i shkurtër elektrik konsiderohet si shkaktari kryesor i zjarrit në katedralen e Notre Damit. Kështu bënë të ditur policia gjyqsore në Paris.
Zjarri mund të ketë qenë i lidhur edhe me parregullësi të pajisjeve kompjuterike ose me ashensorët e përkohshëm që janë përdorur gjatë renovimit të objektit, bënë të ditur një zyrtar i policisë për Associated Press.
Sipas hetimeve të deritanishme besohet se zjarri ishte i rastësishëm, transmeton Ndërtimi.info.
Prokuroria e Parisit deri më tani kanë marrë në pyetje 40 persona prej stafit të katedrales, si dhe punëtorët që po bënin renovimet.
Zyrtari i policisë tha se nuk do të jepte deklarata të paautorizuara mbi raportin, nëse ato nuk do të ishin të mbështetura në rezultate konkrete të hulumtimit.
Meqë katedralja do të jetë e mbyllur për publikun, për vite me radhë, famulltari i famullisë katolike që kryente ritualet fetare në atë katedrale ka propozuar ndërtimin e një strukture të përkohshme në sheshin përpara kësaj katedraleje të famshme gotike.
“Famulltari nuk ka katedrale për momentin … por unë do të përpiqem të krijojë diçka,” është shprehur peshkopi Patrick Chauvet.
Një vlerësim fillestar iu bë katedralës të mërkurën por rreziqet për siguri kanë penguar që kërkimi në brendësi të kishës të vazhdojë.
Katedralja e Notre Damit u përfshi nga një zjarr masiv të hënën rreth orës 18:30 i cili shkatërroi dritaret e qelqit dhe enterierin prej druri.
Zjarrfikësit arritën të shpëtonin strukturën kryesore 850 vjeçare nga guri, përfshirë dy kullat e saj, por pjesa e sipërme dhe kulmi u shembën krejtësisht./Ndërtimi.info/
