Aktuale
Hetim dy loteve të tjera të “Unazës së Re”, prokuroria verifikon procedurat e projektit

I gjithë projekti i unazës së madhe, segmenti nga pallati me Shigjeta deri tek rreth rrotullimi Shqiponja është nën hetim nga prokuroria. Organi i akuzës nuk është mjaftuar vetëm me hetimet për lotin e parë, i cili u përfshirë nga skandali, për shkak të falsifikimit nga ana kompanisë fituese “DH Albania”.
Burime zyrtare nga organi i akuzës konfirmojnë për Vizion Plus se hetimet janë duke u kryer paralelisht me atë të lotit të parë, edhe për dy lotete e tjera.
Grupi hetimor është duke verifikuar të gjitha dosjet e sekuestruara deri më tani, për të zbuluar nëse ofertat kanë qenë fiktive ose jo ashtu nsic ndodhi me lotin e pare. Gjithashtu jane duke u verifikuar me detaje edhe procedurat e kryera nga institucionet përkatëse.
Që në krye të herës tenderi i zhvilluar për të tre lotet u vesh me hije dyshimi. Pasi në secilën garë ishte vetëm një ofertë e vlefshme, ndërsa pjesëmarrëse ishte dhe kompania “Vëllezërit Hysa”, por ajo nuk ka paraqitur ofertë.
Rrjedhimisht, tenderin në lotin e parë e fitoi “DH Albania”, të dytin kompania Salillari ndërsa lotin e tretë “Viktoria Invest”.
Në këto kushte, prokuria pritet të verifikojë nëse procedurat e ndjekura për zhvillimin e këtyre tenderëve kanë qenë në përputhje me ligjin.
Në mënyrë të vazhdueshme opozita ka ngritur dyshimet dhe ka akuzuar se pjesëmarrja në tender e kompanisë “Vëllezërit Hysa” ka qenë sa për numër.
Ndërkohë, pavarësisht kërkesës së presidentit Ilira Meta për të anuluar të gjithë projektin e “Unazës së Re”, mësohet se qeveria nuk do të tërhiqet nga ky investim.
