Aktuale
Haziri iu premton rrugë e kanalizim banorëve të Lagjes së Shasivarëve

Ndërtimi i rrugës 400 metërshe dhe ndërtimi i kanalizimit fekal janë dy kërkesat që banorët e lagjes “Shasivarë” të Bresalcit ia drejtuan të parit të Gjilanit, Lutfi Haziri. Për të cilat ky i fundit u zotua që do t’i nisin procedurat për realizimin e dy këtyre kërkesave.
“Gjatë vizitave në terren, kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me kërkesë të banorëve atje, ka vizituar lagjen e “Shasivarëve” në Bresalc, të cilët kërkuan nga ai ndërtimi i kanalizimit fekal dhe rrugës në gjatësi prej 400 metrave. Haziri, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët, ua ka shfaqur zotimin banorëve të kësaj lagjeje se do t’i nisin procedurat për ndërtimin e rrugës dhe kanalizimit, duke iu mundësuar qarkullim më të lehtë”, thuhet në njoftimin e komunës.
Madje ai para banorëve atje është shprehur se brenda këtij viti do të përfundoj ndërtimi i kanalizimit. Ndërsa, për asfaltimin e rrugës ai garantoi që do të bëhet tek vitin e ardhshëm.
“Qëllimi ynë është që në këtë mandat qeverisës përfundimisht ta largojmë lloçin dhe vadat gjithandej territorit të komunës. Me të gjitha mundësitë tona do të mundohemi që sivjet ta kryejmë kanalizimin, ndërkaq për vitin e ardhëm do ta asfaltojmë rrugën. Ju garantoj për këtë”, tha Haziri.
Haki Uruqi, banor i kësaj lagjeje, e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe zotimin e tij për realizimin e këtyre projekteve jetike për ta.
Sipas njoftimit të Komunës së Gjilanit, javën e kaluar tashmë është përmbyllur me sukses asfaltimi e të gjitha rrugëve kryesore në fshatin më të shpërndarë në komunën e Gjilanit, Bresalc.
