Aktuale
Haxhiu thotë se “Bechtel&Enka” po i trajton punëtorët si “skllevër”
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook në lidhje me vdekjen e punëtorit të Bechtel&Enka, Tafil Tafallari (41) nga Prizreni.
Haxhiu ka thënë se kjo kompani po i trajton puëntorët si skllevër.
“Edhe sot paska humbur jetën në vendin e punës një punëtor i Bechtel Enkes. Kjo kompani i trajton punëtoret sikur të ishin skllevër: me paga të vogla, me mungesën e kushteve për punë e me shkelje të të drejtave. Ndërkohë kjo kompani është favorizuar vazhdimisht nga Shteti”, thotë Haxhiu, teksa shton që humbja e jetës në vendin e punës është bërë pothuajse normale.
“Humbja e jetës në vendin e punës është bërë normale dhe çdo jetë e humbur po kalon në harresë. Qeveria e cila nuk brengoset për nivelin e lartë të papunësisë e varfërisë, nuk shqetësohet as për të drejtat e të punësuarve dhe hesht e nuk vepron as kur dikush nga ta humbet jetën. Qeveria nuk interesohet për jetën e qytetarit”, shtoi Haxhiu.
Deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar nga Inspektorati i Punës që të çojë raport në Kuvendin e Kosovës dhe që ky i fundit të merret urgjentisht me këtë çështje.
“Janë dhjetëra punëtorë që kanë humbur jeten ne vendin e punës dhe askush, asnjëherë, nuk dha përgjegjësi. Inspektoriati i Punës duhet sa më parë të sjellë raport në Kuvend, në lidhje me vdekjet e punëtorëve në kompaninë Bechtel Enka dhe në kompanitë e tjera. Kuvendi urgjentisht duhet të merret me ketë çeshtje”, përfundoi Haxhiu.