Aktuale
Haxha: Në Shqipëri u rrëzuan mbindërtimet dhe objektet e vjetra, në Kosovë duhet vlerësim i ndërtesave
Tërmeti i djeshëm në Shqipëri shkatërroi shumë objekte banimi e hotelerie, por dëmtoi edhe objekte të trashëgimisë kulturore. E për të ditur gjendjen e ndërtimeve në Kosovë po shihet e nevojshme vlerësimi i tyre.
Uran Haxha nga Ndërtimi.info ka thënë në KTV se duhet të formohen grupe për vlerësimin e objekteve të vjetra në vend.
“Kemi ndërtimet e viteve të ’60-ta dhe ’70-ta që duhet që Ministria e Mjedisit dhe planifikimit Hapësinor dhe komunat të krijojnë një task-forcë që vlerësojnë gjendjen e ndërtesave të vjetra. E dimë që ndërtesat pas viteve të ’70 në Kosovë, ky konkludim që po e them vjen pas intervistave me shumë profesorë, janë të cilësisë së mirë, sepse pas tërmetit në Shkup është ngritë vetëdija në gjithë ish-Jugosllavinë që të ketë elaborate gjeomekanike gjeofizike për një ndërtim”, tha ai.
Në lidhje me dëmet në Shqipëri, Haxha ka theksuar se shihet që objektet e shkatërruara kanë qenë të vjetra si dhe ka pasur objekte me mbindërtime.
“Objektet e rrënuara dje në Shqipëri kanë qenë me mbindërtimeve. Objekti I një hoteli të Durrës ka pasur katër kat mbindërtim, hoteli tjetër ka pasur një plato e cila është rrënuar dhe i ka shkaktuar dëmtime edhe pjesës tjetër të hotelit, që do të thotë ka qenë shtesë. I kemi edhe ndërtesat e vjetra. Unë me sa kam pa cilësia e ndërtimit në ato objekte ka qenë i dobët, standardi i kohës ka qenë i dobët, që sot nuk përkon dhe vitet që kanë kalu i dobëson edhe më shumë”, ka thënë ai.
Nga tërmeti me magnitudë 6.4 ballësh në Shqipëri deri tani numri i viktimave ka arritur rreth 30, ndërsa të lënduar mbi 600 persona. Zonat më të prekura nga ky tërmet janë Durrësi dhe Thumana.