Aktuale
Haskuka vazhdon ndalimin e ndërtimeve pa leje

Drejtoria e Inspektoriatit në Komunën e Prizrenit ka vazhduar ndalimin edhe e tri raste të ndërtimeve pa leje, duke i ndaluar punimet. Këtë e ka bërë të ditur i pari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka treguar se rasti i parë ka të bëjë me ndalimin e punimeve në rrugën Ersan Mazrek, për shkak të intervenimit të paautorizuara nga kompania ndërtimore në hapësirën publike, raporton Ndërtimi.info
Rasti i dytë ka të bëjë me ndalimin e një mbindërtimi në banesat në lagjen Ortakoll. Në këtë rast kanë bërë marrëveshje me pronarin e banesës dhe objekti në Ortakoll po kthehet në gjendjen e mëhershme.
Kurse në rastin e tretë bëhet fjalë për zgjerimin e një objekti provat në hapësirën publike në rrugën Edith Durham.
Haskuka ka theksuar se nuk do të ketë ndërtime pa leje në Prizren, dhe secila bashkësi e shëndoshë i ka vijat e veta të kuqe.
Postimi i plotë i Hasakuka:
Në fillim të mandatit po e përmbushim zotimin për ndaljen e ndërtimeve pa leje.
Gjatë ditës së djeshme Drejtoria e Inspektoriatit ka intervenuar në tri raste të reja. Në rastin e parë ka ndaluar punimet në rrugën Ersan Mazrek, për shkak të intervenimit të paautorizuar nga kompania ndërtimore në hapësirën publike, gjegjësisht në zgjerimin e trotuarit.
Në rastin tjetër është ndaluar një mbindërtim në banesat në lagjen Ortakoll. Në marrëveshje me pronarin e banesës, objekti në Ortakoll po kthehet në gjendjen e mëhershme.
Rasti i tretë ka të bëjë me një zgjerim të objektit privat në hapësirën publike në rrugën Edith Durham. Objekti ka filluar së ndërtuari gjatë fushatës zgjedhore, në mungesë të mbikqyrjes nga qeveria e kaluar. Në marrëveshje me Drejtorinë e Inspektoratit, pronari dje ka filluar me rrënimin e objektit, ndërsa hapësira publike duhet të kthehet në gjendjen e mëparshme.
Besoj se shumë shpejt qytetarët do të vetëdijsohen se nuk mund të bëjnë intervenime në pronën private pa leje të lëshuar nga Komuna, aq më tepër në hapsirat publike.
Secila bashkësi e shëndoshë i ka vijat e veta të kuqe. Nuk do të ketë më ndërtime pa leje në Prizren.
Zhvillimi vjen me zbatimin e rendit dhe të ligjit, i cili tash e tutje vlen njësoj, për të gjithë, pa përjashtim.
