Aktuale
“Harvard GSD” rifillon kursin e arkitekturës online, falas

Shkolla Pasuniversitare e Dizajnit [GSD] të Harvardit ka rinisur kursin e saj falas në internet me titull “Imagjinata arkitektonike”. Drejtuar nga profesori i teorisë së arkitekturës K. Michael Hays, i cili shërben si Eliot Noyes në atë shkollë, ky program synon t’i mësojë studentët ta kuptojnë arkitekturën si shprehje kulturore dhe arritje teknike.
Programi 10-javor pa pagesë do të mbahet deri në korrik të 2019-tës dhe do të realizohet përmes platformës online “edX”, një sistem i Harvardit që specializohet në kurse të hapura online, të cilësisë së lartë, shkruan “Arch Daily”, transmeton Ndërtimi.info.
Gjatë kursit, studentët do të njihen me kontekstet sociale dhe historike prapa veprave kryesore të arkitekturës, do të mësojnë parimet bazë për të prodhuar vizatime dhe modele, si dhe përmbajtjet përkatëse për studimet akademike ose karrierën profesionale, si arkitekt.
Kursi do të prezantohet nga ideja e imagjinatës arkitektonike, duke eksploruar vizatimet dhe sfidat në shkrimin e historisë arkitekturore. Studentët do të trajtojnë teknologjinë si një komponent të arkitekturës, duke zbuluar se si teknologjia inovative mund të promovojë përvoja të reja estetike. Së fundi, kursi do të “përballet” me marrëdhënien e ndërlikuar të arkitekturës dhe kontekstit shoqëror e historik.
“Arkitektura është një nga praktikat më komplekse të pranuara globalisht, si në lëndë akademike ashtu edhe një karrierë profesionale. Prodhimi i saj përfshin të gjitha çështjet teknike, estetike, politike dhe ekonomike brenda një shoqërie të caktuar. Bashkohuni me ne teksa shqyrtojmë se si arkitektura angazhohet, ndërmjetëson dhe shpreh aspiratat komplekse të një kulture”- Shkolla Pasuniversitare e Dizajnit të Harvardit
Vitin e kaluar, Harvard GSD u rendit në programin më të mirë të arkitekturës pasuniversitare në botë nga “Best Architecture Masters”, me bazë në Spanjë (BAM)./Ndërtimi.info/
