Aktuale
Haradinaj zotohet në Ditën e Mjedisit se do të përkrahë projektet për menaxhimin e ujërave të zeza
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, është zotuar se qeveria që ai udhëheqë do të përkrahë projektet për menaxhimin e ujërave të zeza.
Këtë zotim ai e bëri në një takim me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet dhe zëvendësshefin e zyrës zvicerane për bashkëpunim, Bernhard Soland, me të cilët diskutoi për mundësinë e zhvillimit të projekteve të ardhshme në fushën e menaxhimit të ujërave të zeza.
Haradinaj tha se “Kosova ka mirëpritur investimet e deritashme zvicerane, të cilat kapin vlerën e 100 milionë eurove që nga paslufta dhe se është e përkushtuar që të bashkëpunojë edhe në projekte të radhës, veçmas në ato që kanë të bëjnë me minimizimin e dëmeve të ambientit dhe ruajtjen e tij”.
“Kosova është e hapur që të pranojë investime të huaja direkte që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujërave të zeza. Aktualisht janë disa projekte të cilat janë në fazë të implementimit, por ka edhe të tjera të cilat po planifikohen”, tha Haradinaj, duke shtuar se Qeveria që ai drejton do të marrë përsipër zotimet e nevojshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e këtyre projekteve, të cilat mbikëqyren nga këshilli ndërministror.
Sipas njoftimit, Lebet ka thënë se Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, përmes projekteve konkrete në fushën e menaxhimit të ujërave.




