Aktuale
Haradinaj u sulet naftëtarëve për çmimin e lartë
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sot në llogarinë e tij në Facebook ka bërë të ditur se po ndërmerr hapa në lidhje me çmimin e naftës në Kosovë.
Ai i ka bërë thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Shoqatës së Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmave që të ndërmarrin hapat e nevojshme për ta ndryshuar këtë praktikë siç thekson ai praktikë e keqe e cila po dëmton qytetarët e vendit.
I pari i Qeverisë tutje ka shkruar se çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulëti aktualisht, por që një gjë e tillë nuk ka bërë që të ketë reflektim tek operatorët e tregut kosovar.
“Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë. Çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar. U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë. Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare!”, ka shkruar Haradinaj.




