Aktuale
Haradinaj tregon se a do të tërhiqen nga vendimi për taksën 100 për qind

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federika Mogherini nëpërmjet një bisede telefonike i ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi që Qeveria e Kosovës ta heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Por një gjë e tillë nuk do të ndodhë deri sa shteti i Serbisë nuk do të njoh Kosovën. Këtë gjë e ka ripërsëritur i pari i Qeverise së Kosovës Ramush Haradinaj, në Konventën e Prodhuesve Vendor që po mbahet sot. Ai më tutje ka thënë se ky vendim le të jetë porosi për të gjithë dhe se vendimi ka ardh prej zorit dhe jo prej qefit.
“Le të shërbejë kjo taksa si porosi për të gjithë. Po jemi zgjuar, jemi të vetëdijshëm, po jemi vetvetja. Pra është vendim sovran. Është vendim i Kosovës. Nuk e kanë marrë aleatët e Kosovës këtë vendim. E ka marrë Kosova, por e ka marrë në momentin kur nuk ka pas rrugë tjetër. Nuk e kemi marrë prej qefit. Ky vendim, sado që njerëzit po mendojnë që është një kalkulim ditor e kush e di unë. Mos bëni llogaritje të tilla askush. Planifikoni që mund të mbetët shumë gjatë, aq gjatë sa nuk do të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia. Aq gjatë sa nuk ndodhë një marrëveshje që ka edhe njohjen edhe anëtarësimin në OKB , edhe borxhet edhe pensionet edhe të pagjeturit por edhe heqjen e taksës. Pra, nuk është e ndarë, është pjesë e pakëtit final të marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi. Nëse dikush e kalkulon ndryshe le të vazhdon, fajin e ka vetë”, tha Haradinaj.
Ndërkohë që Haradinaj është shprehur se vendimi nuk mund të ndryshoj pa vendim qeveritar dhe se lista nuk do të lëviz për hatër të askujt. Siç thotë Haradinaj vendimi për taksën nuk është bërë për hatër të prodhuesve por për hatër të 2 milionë njerëzve që jetojnë në Kosovë.
Ai është shprehur i habitur se si po gjenden faktet për me u kritiku Kosova për vendimin e saj dhe që nuk i kanë ditur faktet se që 10 vite Kosova është diskriminuar.
“Propozimi ka ardh nga Ministria e Tregtisë jo nga zyra e kryeministrit se në disa raste po i drejtojnë nga unë por është e zotume në Qeveri dhe vetëm me vendim qeveritar mund të ndryshojë. Po ju lutem hiç mos lypni rrugë tjera. Edhe nëse propozohet një sugjerim i ri, dhe mund të ndodhë por nuk shkohet një nga një, nuk lëvizet lista për hatër të ndonjërit prej neve sepse është e pamundshme. Ju shprehim keqardhje kujtdo që në një rrethanë të caktuar mund të ndodhë që i kemi ndërhy. Çka është ky vendimi 100 për qind? Nuk është bërë vetëm për hatër të prodhuesve vendor, ky është interesi i 2 milionë njerëzve që jetojnë në këtë vend. Edhe i konsumatorit, edhe i tregtarit edhe i çdonjërit prej nesh. Gjithë jemi dëshmitarë sa keq është trajtuar Kosova dhe produkti “Made In Kosova”, a ka mundur me hy në këto tregje, qoftë në Serbi qoftë në Bosnjë…imagjinoni kur vjen dita që ne do të konkurrojmë si Kosovë në Serbi për pare të buxhetit tyre. Edhe është e habitshme që një pjesë e atyre që po gjejnë argumente me kritiku Kosovën për vendimin e vetë qysh nuk i kanë ditë këto fakte që 10 vjet Kosova është e diskriminuar. Janë 100 operatorë të Serbisë që operojnë në Kosovë, treg i hapur. A nuk është një i yni që ka mund të operojë atje edhe pse e them këtë. Ne e dimë që prodhimi është sfidë dhe e filluam me sfidën. Mirëpo sfida nuk është që gjithherë duhet me u marr si lajm i keq. Nuk ka njeri të zoti që ka një të kaluar të lehtë…përkundër faktit që jemi të përkëdhelurit edhe të Amerikës edhe të Evropës ne duhet me i kry do punë t’shpisë. Ne nuk jemi të diskriminuarit e Evropës, Evropa nuk na bënë pengesa për me u qas në tregun e tyre por pa i kryer ne punët tona nuk do të ecim përpara asnjëherë”, tha Haradinaj, raporton Ndërtimi.info
Por rritjen e taksave karshi produkteve serbe në tregun kosovarë kanë nisur edhe rritja e çmimeve. E për këtë gjë Haradinaj iu ka bërë thirrje prodhuesve që shfrytëzojnë këtë periudhë të artë por që në të njëjtën kohë të mos i rrisin çmimet pa nevojë.
“Çka duhet me bë prodhuesit tanë? Ju thash nuk është bërë për hatërin e juaj, dhe ju siguroj për këtë. Ky vendim është bërë prej zorit, kemi qenë në vështirësi të mëdha. Mirëpo tani ju lutem shfrytëzojeni, e keni para vetës po ashtu mos e keqpërdorni. Mos i rritni çmimet pa nevojë. Tani është koha reale me ju dhënë përparësi produkteve vendore dhe ekspozimin nëpër rafte. E keni para vetës një periudhë të artë, shfrytëzoni, punoni, rriteni, paguani sa më shumë tatim ta rrisim edhe buxhetin e vendit”, nënvizoi Haradinaj.
Ndërsa, sa i përket zërave nga Beogradi se me këtë taksë spitalet do të mbesin pa oksigjen dhe çerdhet pa qumësht, Haradinaj thotë të jenë propaganda që vazhdojnë nga e kaluara. Ai ka theksuar se masa e 100 për qind për produktet e Serbisë nuk është kundër serbëve të Kosovës.
“Nuk është kjo masë e dedikuar kundër serbëve të Kosovës. Propaganda që mundohet me bë Beogradi zyrtar se do të mbetën spitalet pa oksigjen, e pa ilaçe e çerdhet pa qumësht. Ju e dini që e kemi dëgjuar edhe në të kaluarën që ka pas propagandë të tilla. Por i kisha lutur njerëzit e prodhimit dhe tregtarët që të mos lejojnë që një lajm i keq me dalë për Kosovën n ë aspektin humanitar se është në interesin tonë të mos lejojmë të ndodhë kjo”, përfundoi Haradinaj.
Kujtojmë së ndaj kërkesës së djeshme të Mogherinit për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe është përgjigjur Avni Arifi, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Do të dëshiroja që Mogherini dhe ekipi i saj të ishin të mobilizuar për implementimin e marrëveshjes për energji ashtu siç janë mobilizuar për heqjen e taksës 100%. Befasuese të shohësh tërë këtë dinamikë, tërë këtë emocion në mbrojtje të interesave serbe. Fatkeqësisht, kjo qasje e njëanshme solli te dështimi i plotë i dialogu”, ka shkruar Arifi në Facebook./Ndërtimi.info
