Aktuale
Haradinaj thotë se do t’i ndihmojë bizneset e diasporës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuara që bizneset e diasporës të jenë konkret në kërkesat e tyre karshi Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që kjo e fundit të marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohen këto biznese, shkruan Ndërtimi.info
Këtë kërkesë bizneseve të diasporës, kryeministri Haradinaj ua ka adresuar gjatë një takimi që kishte me përfaqësues të bizneseve kosovaro-gjermane në kuadër të Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare dhe ambasadorit gjerman, Christ Heldt.
Kryeministri Haradinaj theksoi se qeverisja nën drejtimin e tij do të fokusohet në hapjen e bizneseve të reja dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke shtuar mundësinë e përfshirjes së tyre sa më të madhe në politikë bërje.
Nga përfaqësuesit e bizneseve të diasporës, kryeministri Haradinaj kërkoi që të jenë konkretë në kërkesat e tyre, në mënyrë që Qeveria e Kosovës, të marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohen.
Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se çdo investitorë i jashtëm është i mirëpritur dhe do të ketë angazhime konkrete lidhur me përkrahjen e bizneseve, përmes përmirësimit të politikave fiskale dhe lehtësirave tjera të cilat gjithmonë do të jenë në favor të bizneseve dhe investitorëve potencialë.
Nga ana e tyre, përfaqësues të komunitetit të biznesit nga diaspora shprehën besimin në vullnetin e kryeministrit për të bërë atë që ata e shohin si interes, në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të punës.
Nora Hasani, drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare, theksoi nevojën e një takimi të bizneseve të diasporës me ato kosovare dhe nevojën e kthimit të besimit të investitorëve që të investojnë në Kosovë. Ajo tha se sundimi i ligjit dhe zbatimi i kontratave është qenësore për investitorët e huaj, duke potencuar se ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duhet dhënë rëndësi të veçantë.
Kryetari i Unionit të bizneseve shqiptare në Gjermani, Nazmi Viqa tha se nevojitet zbatimi i ligjit, infrastrukturë e duhur, në mënyrë që të kontribuohet për vendin dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët.
Fadil Hoxha, president i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare, shprehu besimin në kryeministrin Haradinaj dhe në Qeverinë e Kosovës, duke vlerësuar se Kosova ka resurse të mjaftueshme humane për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.