Aktuale
Haradinaj: Sikur qeveria e kaluar të ishte e përgjegjshme, s’do të paguanim 53 milionë euro për “Bechtel & Enkan”
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar qeverinë e shkuar për mosrespektim të kontratës me “Bechtel & Enkan” për autostradën “Arbën Xhaferi”. Sipas tij, po të ishte e përgjegjshme ish-qeveria, tani nuk do të kishte nevojë të paguhen 53 milionë euro shtesë për këtë kompani.
“Kontratat janë të ndjeshme. Ata kanë bërë kontratë me afate kohore edhe me penalti nëse nuk përmbushet afati. Sikur të kishte marrë përgjegjësinë qeveria e hershme, do të mund të ishte shumë më e vogël. Qeveritë tona në të kaluarën kanë menduar se mund t’i ikin në pakufi dhe unë është dashur ose ta lë të vazhdonte ose ta ndërprerja, por Bechtel & Enka nuk është AXOS se sikur të shkonim në Arbitrazh shuma do të ishte më e madhe sepse nuk kemi pasur shans ta fitonim. Opinionet ligjore të njerëzve tanë vërtetojnë se jemi gabim. Jo vetëm kaq, por krijimi i një konflikti të tillë rrezikon përmbylljen e një projekti dhe rrethanat tjera të rënda të vendit. Duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, sikur ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku të bënte marrëveshje më herët me Bechtel & Enkan, Kosova tani nuk do të paguante kaq shumë para. Haradinaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se po të priste akoma për marrëveshje, shuma deri në pranverë do të arrinte në 100 milionë euro.




