Aktuale
Haradinaj raporton me lëvdata për qeverinë e tij

Mori shumë vendime që prej se erdhi në pushtet. Shumica e tyre e “tkurrën” buxhetin e shtetit për miliona euro. Por, Ramush Haradinaj prej gjithë vendimeve që mori asnjë nuk e konsideron si të gabuara.
Prej më shumë se 600 vendimeve që ka marrë Qeveria Haradinaj, pa dyshim vendimi më i rëndësishëm e për të cilin do të mbahet mend do të jetë vendimi për ndarjen e 53 milionë eurove konzorciumit Bechtel&Enka, shkruan Ndërtimi.info.
Këtë vendim Haradinaj e kishte marrë sipas Marrëveshjes së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës në mbledhjen e 50-të të Qerverisë.
“Vendim me të cilin aprovohet kërkesa e konzorciumit Bechtel&Enka për të ndarë mjetet me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për vazhdimin e ndërtimit të rrugës nacionale R6, autorruga “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit deri më 31.12.2018, sipas Marrëveshjes së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës, të datës 27.09.2017 MI”, thuhet në raportin e Qeverisë Haradinaj.
Por, edhe pse vendimet i tij i kushtuan buxhetit të shtetit më të varfër në rajon, Kryeministri Ramush Haradinaj pati vetëm lavdata për Qeverinë që e udhëheq. Madje, tha se një dinamikë të tillë të punës nuk ka pasur asnjë Qeveri tjetër më parë.
Pas prezantimit të këtij raporti sot, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj kishte lëvdata të shumta për Qeverinë, për të cilën tha se ka punuar me një dinamikë, e cila nuk është parë deri më tani nga asnjë Qeveri që nga pavarësia e vendit.
“…Ajo që ky raport e vërteton, është një dinamikë të punës që nuk ka qenë ndonjëherë në qeveritë e vendit. Numri i vendimeve të qeverisë i ligjeve e veprimeve të ndërmarra, i akteve nënligjore, të gjitha këto flasin për një dinamikë që është e vetmja e këtillë prej se ekzistojnë Qeveritë e Kosovës, që nga pavarësia të paktën. E bëmë pak vetëlavdërim, kërkoj falje”, tha Haradinaj./Ndërtimi.info
