Aktuale
Haradinaj-Kocijançiçit:Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë

I pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënses së BE-së Maja Kocijançiç dhënë për mediat serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Një deklaratë si kjo Haradinaj thotë të jetë qëndrim papresedan, i papranueshëm dhe si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj përmes postimit në facebook, ka thënë se reagimi i BE-së kundër miratimit të Statuti të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës, është dëshmi që BE-së i ka humbur rruga në oborr.
“Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai më tej ka theksuar se Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë.
Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës.
Ndërkohë, që deputetët e Kuvendit të Kosovës ditë më parë në seancat më të gjata , pasi punimet kanë filluar në ora 10:00 të mëngjesit të së shtunës dhe kanë vazhduar pa asnjë pauzë deri pas orës 02:00 të së dielës kanë miratuar Propozim-statutin e Shoqërisë Aksionare “Trepça”.
Pro kanë votuar 80 deputetë, 2 ishin kundër, ndërsa 3 kanë abstenuar.
Për këtë kishte shkruar edhe vetë Haradinaj.
Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se me votimin e Statutit të “Trepçës” është zgjuar gjiganti kosovar.
“Ky është hapi kryesor për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave dhe punësim”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai gjithashtu ka thënë se votimi i Statutit me 2/3 e votave të Kuvendit dëshmoi unitet të spektrit politik.
“Ky statut i jep Trepçës legjitimitetin e nevojshëm për të operuar me të gjitha kapacitetet e saja dhe duke e rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”.
