Aktuale
Haradinaj kërkon hekurudhë për Shqipëri

Kosova sot filloi punët për rehabilitimin i linjës hekurudhore 10, segmenti Fushë Kosovë – Hani i Elezit, me gjatësi 65 kilometra dhe kosoto 78 milionë euro. Ky projekt, që financohet nga BERZH dhe Banka Evropiane për Investime, u konsiderua i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe lidhjen me rajonin.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Derisa infrastrukturën hekurudhore e vlerësoi faktor për zhvillim të vendit, ai tha se duhet të ndërtohen linja hekurudhore edhe me Shqipërinë dhe Malin e Zi, raporton Ndërtimi.info.
Madje, sipas tij një linjë hekurudhore Prishtinë – Durrës është shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian.
“Ne kemi lidhje hekurudhore me Serbinë, kemi lidhje hekurudhore me Maqedoninë e Veriut, por nuk kemi me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Është jashtëzakonisht interes i BE-së që të ketë linjë hekurudhore Prishtinë – Durrës dhe në Portin e Durrësit të ketë një dalje në port ose në det, jo vetëm për ekonominë tonë, por edhe ekonomitë tjera që lidhën në drejtimin tonë. Mendojë që në këtë projekt, që pjesa më e vogël është në territorin e Kosovës dhe pjesa më e madhe në territorin e Shqipërisë duhet në punojmë bashkë, por edhe me partnerët financiar”, tha ai.
Renovimi i linjës hekurudhore 10, segmenti Fushë Kosovë – Hani i Elezit po bëhet pas 45 vjetësh, pasi renovimi i fundit ishte bërë në vitin 1974. /Ndërtimi.info/
