Aktuale
Haradinaj ia çelë rrugën projektit të madh të Pal Lekajt
Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën e gjelbër kërkesës së ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj për hartimin e Planit për Zonë të Veçantë të segmentit rrugor Kijevë-Zahaq.
Kushtrim Hajzeri
Ministria e Infrastrukturës ka pritur që të marr aprovimin e Qeverisë në mënyrë që të fillojë punët për këtë projekt, që të realizojë një rrugë magjistrale e cila duhet të jetë rreth 32 kilometra e gjatë, raporton Ndertimi.info.
Kjo ministri ende nuk ka hartuar planin e detajuar për këtë projekt, por parasheh që punimet të fillojnë në fillim të vitit 2018.
I kontaktuar nga Ndërtimi.info, shefi i kabinetit të ministrit Pal Lekaj, Argjend Zejnaj, ka thënë se puna për planin detaj do të fillojë tani, pasi u miratua kërkesa nga Qeveria.
“Ne besojmë që me këtë vendim që sot e ka marrë Qeveria e Kosovës, me propozimin e ministrit Pal Lekaj, që kjo të përshpejtojë procedurat e fizibilitetit, planit detal, elaboratin e shpronësimit. Kështu të jemi të gati që në fillim të viti të ardhshëm të fillojmë punën praktikisht dhe të fillojë ndërtimi i asaj rruge”, ka thënë ai.
Ministria ka paraparë që për ndërtimin e kësaj Zone të Veçantë një pjesë të parave ta marrë borxh nga BERZH-i.
“Me që nuk e kemi ende planin detal të fizibilitettit, nuk mundet të them ndonjë shumë sepse do të ishte e padrejtë. Një hua prej BERZH-it, por diçka kemi me dhënë edhe prej buxhetit të ministrisë”, ka thënë Zejnaj.
Duke qenë se punët në rrugë pritet të fillojë në vitin e ardhshëm, Zenjaj ka thënë se brenda mujave të mbetur të këtij viti do të bëhet përfundimi i projektit në letër.
“Ne presim që brenda këtij viti të përfundojë gjithçka që i nevojitet këtij projekti në letër, nga do t’i bie, çka ka me pas, kë kemi me shpronësua, sa është shuma e shpronësimi, sa familje kanë me u shpresua dhe të gjitha tjerat”, ka shtuar ai.