Ndërtim
Hapet shkolla e re “Hasan Tahsin” në Tiranë, Veliaj premton edhe 16-të të tjera
Nxënësit e shkollës “Hasan Tahsin” e nisën vitin e ri shkollor në një godinë krejtësisht të re.Bashkia e Tiranës mbajti premtimin duke përfunduar në kohë rekord rikonstruksionin e plotë të shkollës duke ofruar për 1 mijë nxënës kushte më të mira të mësimdhënies.
Ambientet e rinovuara të kësaj shkolle u përuruan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja, Lindita Nikolla, të cilët pasi u njohën nga afër me kushtet e shkollës, uruan suksese në vitin e ri shkollor. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se sot në të gjithë Tiranën janë hapur 191 shkolla me ambjente të rregulluara.
”Dua t’ju uroj të gjithëve nga zemra Gëzuar vitin e ri shkollor! Jam shumë i lumtur që në të gjithë Tiranën sot ja hapur 191 shkolla, njëra më e mirë se tjetra. Në shkollat ekzistuese kemi bërë shumë punë, shumë riparime, ndërkohë që jam shumë i lumtur që bashkë me shoqen time, mikeshën time, kolegen time, motrën time, Lindita Nikolla ne do hapim 4 shkolla të reja këtë vit”, tha Veliaj.
Veliaj deklaroi se falë investimeve të tilla do të marrë fund dhe mësimi me dy turne.
“Kemi lajm të mirë edhe për “Fan Nolin”. Unë e mbaj mend që ditët e para, mbaj mend patëm peticione nga prindërit, patëm revolta. Unë e them gjithmonë, sa herë që ndodhin gjëra të bukura, në fillim ka një reagim, por pastaj kur takova sot disa nga prindërit e “Fan Nolit” që thanë, ku paskemi qenë. Insistimi për të bërë me dy turne te “Fan Noli”, ndërkohë që fëmijët e tyre sot kanë kaluar vetëm nga ana tjetër e Pazarit të Ri për ta bërë me 1 turn, duke qenë se shkolla e re është 3 herë më e madhe se “Hasan Tahsini” që kishim, është ndërtuar komplet nga themelet”, tha Veliaj .
Kreu i Bashkisë siguroi se do të nisë menjëherë puna për ndërtimin e 16 shkollave të. “Sot është një ditë e veçantë, edhe për disa arsye të tjera, është rikthimi i Lindita Nikollës si Ministre e Arsimit, na ke munguar shumë këto muaj, por unë besoj se tani do rikuperojmë edhe kohën e kësaj mungese për të ecur më shpejt që përtej këtyre 4 shkollave, “Hasan Tahsin”, shkollës “Betim Muço”, që do ta hapim shumë shpejt në Kombinat, shkollën “Ardian Klosi” tek Bregu i Lumit dhe Shkolla e re e Baletit, ne të fillojmë edhe 16 shkolla të tjera për t’u siguruar që përfundimisht e mbyllim çështjen e arsimit me dy turne në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.
Me nisjen e vitit të ri shkollor, Veliaj theksoi se do të rikthehet edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve.
Shkolla e re ka 22 klasa mësimi, 2 klasa parashkollore, 6 laboratorë, palestër moderne si dhe një terren sportiv të jashtëm. Godina është e pajisur me sistemin e ngrohjes qëndrore me pelet.